Besar Ademi
16 Maj 2016•Përditësim: 16 Maj 2016
SHKUP (AA) – Pesë të akuzuar në rastin “Celula”, të cilët akuzohen se kanë marrë pjesë në ushtri të huaja ose formacione paraluftarake, në seancën e sotme në Gjykatën Penale të Shkupit, si edhe gjashtë të akuzuarit e tjerë, e pranuan fajin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Isa Fuga, Abdulla Abdullahi, Muhamed Imeri, Eroll Rustemi dhe Stefan Stefanovski, gjatë prononcimit thanë se vullnetarisht e pranojnë fajin dhe se janë të vetëdijshëm për pasojat.
Prokurori Vlladimir MIlloshevski, kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë në pajtueshmëri me dispozitat ligjore, ndërsa avokatët kërkuan që gjykatësi të marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe t’u vendosë dënime më të lehta.
Gjatë vlerësimit të aktpadisë, fajin e pranuan edhe Hoxhë Rexhep Memishi, Ahmet Dardhishta, Sejfulla Etemovski, Resul Saiti, Fazli Sula dhe Muhamed Shehu. Ata u dënuan me dënime minimale, prej pesë deri në shtatë vjet heqje lirie.
“Ka tre kategori të veprave të cilat u vihen në ngarkesë të dyshuarve. Së pari, rekrutimi i personave në ushtri të huaja ose formacione paraluftarake, së dyti, grumbullimi i mjeteve financiare dhe ndihmës materiale për mbështetje të personave të cilët do të inkuadrohen në ushtri të huaj ose formacion paraluftarak, sigurim të udhëtimit të tyre, trajnim dhe pjesëmarrje në ushtri të huaj dhe kategoria e tretë e veprave – pjesëmarrje në ushtri të huaj”, - thotë prokurori Milloshevski.
Gjykata të mërkurën duhet të marrë vendimin për pesë të akuzuarit në rastin “Celula”.
Faza finale e aksionit policor “Celula”, përfundoi më 6 korrik 2015, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë në periudhën prej shtatorit të vitit 2014 deri në muajin korrik të vitit 2015, ka qenë e angazhuar në mbledhjen e dëshmive materiale për shtetasit e Maqedonisë, të cilët kanë marrë pjesë aktive në organizimin dhe përgatitjen e personave për pjesëmarrje në formacionet paraushtarake jashtë territorit të Republikës së Maqedonisë.