21 Tetor 2017•Përditësim: 22 Tetor 2017
STAMBOLL (AA) - Uğur Çil
Drejtori i Inter Mediate, Jonathan Nicholas Powell, në lidhje me rolin e Turqisë për shumë probleme aktuale dhe zgjidhjen e konflikteve në Lindjen e Mesme tha se "Turqia është aktor i domosdoshëm për zgjidhjen e problemeve të përjetuara në Lindjen e Mesme."
Powell ka marrë pjesë në "TRT World Forum", i zhvilluar me temën "Të jesh frymëzim për ndryshimin në epokën e pasigurisë", i cili këtë vit është organizuar për herë të parë nga TRT World me qëllim për të kërkuar zgjidhje ndaj pengesave aktuale, kulturore, politike, ekonomike dhe shoqërore. Ai ka folur për Anadolu Agency (AA), rreth zhvillimeve të përjetuara në Lindjen e Mesme dhe rreth politikës së Turqisë në Lindjen e Mesme.
Duke u shprehur se "Turqia është një aktor i domosdoshëm për zgjidhjen e problemeve në Lindjen e Mesme", Powell, tha se Turqia është afër me këto probleme, për shkak se ajo ka një kufi me Sirinë dhe Irakun.
Powell gjithashtu vuri në dukje se Turqia është në një pozicion shumë të rëndësishëm në çështjen e Libisë dhe Katarit dhe ka theksuar se për zgjidhjen e problemeve aktuale ka nevojë për Turqinë.
"Sidomos kur SHBA-ja dhe Evropa të hedhin hap prapa në Siri, situata e konfliktit atje do të vazhdojë dhe do të ketë nevojë që Turqia të luajë një rol në këtë pikë", është shprehur Powell, duke shpjeguar se Turqia aktualisht ndodhet brenda situatës në Siri.
"SHBA nuk pati dëshirën të ndërhynte në Siri"
Në vlerësimin e tij rreth politikës së SHBA-ve për Sirinë, duke vënë theksin se SHBA-të nuk preferuan që të ndërhynin drejtpërdrejtë në Siri për shkak që të mos përjetonin të njëjtën përvojë negative që përjetoi në Irak, Powell tha se "Ndërhyrja ka pasojë, por në të njëjtën kohë edhe mos ndërhyrja ka pasojat e saj. Për këtë arsye duhet të sigurohet një balancë mes të dyjave."
Pasi ka vënë në dukje se ish-presidenti amerikan, Barack Obama, nuk ka mundur të vendosë këtë balancë, ai është shprehur se politika e presidentit amerikan Donald Trump për Sirinë ka për qëllim pastrimin e organizatës terroriste DEASH nga territoret e Sirisë.
"Nëse rusët duan të kenë kontrollin e Sirisë, mund ta kenë"
Duke tërhequr vëmendjen se nga pikëpamja e Trumpit përparësia në Siri është DEASH-i dhe për këtë arsye nuk dëshiron ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në luftën e brendshme të Sirisë, Powell ka bërë vlerësimin se "Politika e Trumpit duket se është si 'Dëshiroj të mund DEASH-in dhe ta largoj atë nga territoret e Sirisë, por në të vërtetë nuk dëshiroj të ndërhyjë në çështjen që Rusia ka nën kontroll Sirisë. Rusët nëse dëshirojnë ta kenë nën kontroll Sirinë, mund ta kenë‘".
"Nuk mendoj se lufta në Siri do të përfundojë në një kohë të afërt. Njerëzit në Perëndim gabojnë kur mendojnë se është fituar lufta me humbjen e DEASH-it. Lufta ka një natyrë të ndryshueshme dhe unë jam i lumtur të them se më pak njerëz kanë humbur jetën e tyre tani. Turqia ka hyrë në Idlib dhe këtu po përpiqet të formojë zona jokonfliktuale. Edhe sikur të formohen këto zona do të duhet një kohë e gjatë për përfundimin e luftës. Sepse do të ndryshojë natyra e luftës dhe do të vazhdojë në forma të ndryshme", ka theksuar Powell.
"Qeveria rajonale kurde e Irakut nuk kuptoi pasojat e referendumit"
Ndërsa në lidhje me referendumin e paligjshëm të Qeverisë rajonale kurde e Irakut, Powell, tha se "Me këto që Qeveria rajonale kurde e Irakut bëri nuk jam i sigurtë nëse ata e kanë kuptuar se cilat do të ishin pasojat e referendumit". Duke shtuar më tej se rezultatet e këtij referendumi do të jenë shumë të vështira për Qeverinë rajonale kurde të Irakut, ai tha se "Humbën Kirkukun. Kjo situatë mund të jetë shkak për ndarjen mes tyre të partive të Barzanit dhe Talabanit."
Powell theksoi se Turqia mund të jetë efektive në këtë çështje dhe përdori shprehjen se "Turqia duhet të gjejë një zgjidhje në këtë çështje, por unë nuk di se si do ta bëjë këtë."
Drejtori i Inter Mediate, e cila u themelua për të punuar në çështjet e zgjidhjes së konflikteve dhe autori i shumë librave, përgjatë viteve 1995-2007 ka kryer detyrën si shef i sekretariatit ekzekutiv të stafit për kryeministrin britanik Tony Blair.
Ndërkohë Powell gjatë viteve 1978-1979 ka punuar edhe si gazetar në BBC dhe Granada TV dhe në të njëjtën kohë ai ka kryer edhe detyrën e diplomatit.