Agon Fehmiu
15 Janar 2016•Përditësim: 16 Janar 2016
PRISHTINË (AA) – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot, me rastin e 17 vjetorit të masakrës së Reçakut, ka bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor “Masakra e Reçakut” në afërsi të qytezës Shtime, për të nderuar viktimat e kësaj ngjarjeje tragjike e cila ndodhi më 15 janar të vitit 1999 dhe në histori shënohet si “ditë e inicimit të vetëdijes së faktorit ndërkombëtare që në Kosovë ka ndodhur një masakër, një luftë jo e barabartë ku forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe nuk kanë zgjedhur caqet e tyre, duke masakruar civil të pafajshëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke e cilësuar 15 janarin si “ditë dhimbjeje dhe krenarie”, kryetari i Kuvendit Veseli theksoi se përveç përkujtimit për të rënët që dhanë gjithçka që ne sot të gëzojmë lirinë, institucionet e Republikës së Kosovës janë të obliguara të punojnë çdo ditë rreth këtij ideali.
“Në këtë ditë të veçantë, i duhet bërë thirrje edhe ndërgjegjes njerëzore, e cila unifikoi bashkësinë ndërkombëtare, duke ftuar Konferencën e Rambujesë, pas së cilës pasoi intervenimi i NATO-s, si një arsye shtesë për të vazhduar dhe thelluar më tej partneritetin me SHBA-në dhe BE-në”, tha Veseli, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Më 15 Janar 1999, në fshatin Reçak të Shtimes, forcat policore-ushtarake, si dhe paramilitare serbe, vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq, gra dhe fëmijë.
Të nesërmen, më 16 janar, Reçakun e vizitoi shefi i atëhershëm i misionit të OSBE-së, ambasadori William Wallker, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur.
Pasi vizitoi fshatin dhe u ngjit lartë te vendi i quajtur “Gropa e Bebushit” , aty ku sot ndodhet Kompleksi Memorial i Reçakut, ndërsa po afrohej tek lugu i ngushtë, ambasadori Walker u tmerrua nga pamjet e kufomave dhe pa hezituar në ato momente deklaroi: “Nga ajo që pashë, ishte evidente se kemi të bëjmë me masakër dhe krim kundër njerëzimit”.
Ishte ky momenti i cili, përfundimisht, ndryshoi rrjedhën historike të Kosovës.
17 vite më vonë, familjarët, bashkëfshatarët, qindra e mijëra qytetarë nga mbarë Kosova dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe ata të partive politike, që nga orët e hershme të mëngjesit kanë marr rrugën drejt Kompleksit memorial të “Masakrës së Reçakut”, për t’i kujtuar viktimat dhe për t’iu shprehur respektin gjithë të vrarëve në këtë akt të krimit kundër njerëzimit të kryer nga shteti i Serbisë, përkatësisht nga forcat e policisë, ushtrisë dhe njësitet paramilitare serbe që vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë, në mesin e të cilëve pleq, gra dhe fëmijë.