Necva Taştan Sevinç
06 gusht 2026•Përditësim: 06 gusht 2026
Këshilltarët konfidencialë të Komisionit Evropian morën rreth 1.000 raporte lidhur me ngacmimet e pretenduara në vendin e punës që kur shërbimi mbështetës u prezantua në shtator 2024, thuhet në raport të "Politico"-s të publikuar sot, transmeton Anadolu.
KE-ja e cila punëson rreth 30 mijë njerëz, emëroi Lene Naesager si këshilltaren e saj kryesore konfidenciale në maj 2024. Ajo drejton një ekip prej 40 këshilltarësh që punojnë në të gjithë komisionin dhe agjencitë e tij ekzekutive.
Që nga shtatori 2024, shërbimi ka marrë 960 raportime nga punonjës që janë ndjerë të ngacmuar, autorë të dyshuar, dëshmitarë, menaxherë dhe përfaqësues të burimeve njerëzore, tha një zëdhënës i KE-së.
Megjithatë, këshilltarët nuk janë të autorizuar të hetojnë pretendimet ose të përcaktojnë nëse një sjellje e veçantë përbën ngacmim sipas rregulloreve të stafit të BE-së. Punonjësit që kërkojnë të paraqesin ankesa formale duhet të kontaktojnë Zyrën e Hetimit dhe Disiplinës të komisionit ose Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit. Institucioni merr rreth 20-25 ankesa formale çdo vit.
KE-ja tha se 14 mijë anëtarë të stafit kishin marrë pjesë në prezantime mbi politikën e tij kundër ngacmimit ndërsa 2.400 menaxherë kishin marrë pjesë në trajnimin e detyrueshëm gjatë dy viteve të fundit. Sipas zëdhënësit, rritja e ndërgjegjësimit për kanalet e disponueshme të mbështetjes kontribuoi në numrin relativisht të lartë të raporteve të dorëzuara tek këshilltarët konfidencialë.
Institucioni tha se ishte "i përkushtuar për të qenë një vend modern, i respektueshëm dhe tërheqës për të punuar", duke iu referuar një rishikimi të operacioneve të komisionit të nisur nga presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.
Shifrat dolën pasi "Politico" publikoi një hetim mbi shqetësimet e punonjësve të KE-së për orët e gjata të punës, burokracinë komplekse dhe në disa raste menaxhimin toksik.