Fatjon Cuka
28 Tetor 2015•Përditësim: 29 Tetor 2015
TIRANË (AA) –Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë ka mbajtur një leksion të hapur për orientimet e politikës së jashtme të Shqipërisë. Kryediplomati shqiptar ka deklaruar se politika e Jashtme e vendit është e orientuar drejt promovimit të paqes, sigurisë dhe prosperitetit, mbi të gjitha në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë dhe Greqinë, në vlerësimin e Bushatit kanë një dimension strategjik, ku si vende anëtare të NATO-s, influenca dhe rrezja e veprimit të tyre, sipas tij, është thelbësore në Ballkan dhe Mesdhe.
“Sot në një botë në kaos është e natyrshme të reflektohet mbi orientimet e politikës së jashtme të Shqipërisë. Si kurrë më parë bota po përjeton një transformim që vjen i imponuar nga rreziqet që burojnë nga globalizmi, urbanizimi i pandalshëm, ndryshimet demografike, flukset migratore, kriza financiare dhe thellimi i pabarazisë ekonomike shoqërore. Kjo botë e pasigurtë, pa rend dhe pa ekuilibra shkakton dilema që prekin të gjitha vendet e botës, të mëdha ose të vogla, të fuqishme ose jo. Shqipëria ka detyrime brenda kornizës euro-antalantike. Por politika jonë e jashtme orientohet pikë së pari nga interesa kombëtare. Në eksperiencën tonë disavjeçare si anëtarë të NATO-s mund të them se pjesëmarrja në aleancë e ka transformuar Shqipërisë në një vend që prodhon dhe duhet të rrezatojë stabilitet”-u shpreh Bushati
Sipas tij, procesi i anëtarësimit ën Bashkimin Europain është dhe mbetet një objektiv kombëtar, në funksion të demokratizimit dhe transformimit të shoqërisë shqiptare në përputhje me vlerat e Evropës së bashkuar.
Bushati shprehet se Procesi i Berlinit ka synuar krijimin e kushteve për një ndërlidhje më të mirë të rajonit dhe shndërrimin e Ballkanit Perëndimor në një rajon të vërtetë.
“Përtej qëndrimeve mbi çështjen madhore të Kosovës, mendoj se ajo që e ndan shumë më tepër Shqipërinë nga Serbia është përcaktueshmëria perëndimore e shqiptareve dhe identiteti i fragmentarizuar i Serbisë në këtë drejtim”-u shpreh ndër të tjera Bushati.