Besar Ademi
13 Maj 2016•Përditësim: 14 Maj 2016
SHKUP (AA) – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, pas takimit me të dërguarin special të Gjermanisë, Johannes Haindl, deklaroi se është duke u kërkuar një mënyrë që përsëri të rikthehet në funksion Kuvendi i Maqedonisë. Ndërkohë lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, deklaroi se Marrëveshja e Përzhinës ka dështuar dhe nevojitet një marrëveshje e re që vendi të tejkalojë këtë krizë politike, raporton Anadolu Agency (AA).
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti tha se në takim janë diskutuar shumë çështje të rëndësishme për vendin, si zgjedhjet e 5 qershorit, Marrëveshja e Përzhinës, si dhe proceset euro-atlantike të vendit. Sipas tij, zgjedhjet nuk duhet të mbahen më 5 qershor dhe e vetmja mënyrë për zgjidhje të krizës mbetet rikthimi në funksion i Kuvendit, ku do të diskutohen shumë çështje me rëndësi, përfshirë edhe vendimin e fundit të Presidentit Gjorgje Ivanov për faljen e politikanëve.
“Sa u takon zgjedhjeve të 5 qershorit mendojmë se nuk do të ishte mirë mbajtja e tyre për imazhin e vendit tonë. Gjithashtu shfaqëm mendimet tona se si mund të arrihet të rikthehet në funksion Kuvendi i Maqedonisë. Ne i kemi marrë të gjitha masat duke vënë në funksion ekspert të vendit dhe ndërkombëtarë, se cilat rrugë mund të ndiqen që ky moment të ndodh dhe Kuvendi të vendoset në funksion. Pasi të rikthehet Kuvendi hapen shumë çështje për zgjidhje të krizës, ku dhe mund të bisedohen shumë çështje me rëndësi për vendin”, deklaroi Ahmeti.

Nga ana tjetër, lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi deklaroi se e vetmja alternativë që vendi të dalë nga kjo krizë është Bashkimi Evropian, duke theksuar se kjo është vetëm fillimi i bisedimeve dhe se javën tjetër pritet që çështjet të jenë më të qarta.
“Marrëveshja e Përzhinës ka dështuar dhe kjo është definitive. Mirëpo, mua më pengon kur thuhet marrëveshja e katër partive politike ka dështuar, sepse ajo është marrëveshje e katër partive, por përgjegjësitë për dështimin e marrin tre partitë politike të cilat janë pjesë e qeverisë. Unë mendoj se duhet marrëveshje e re, duhet çështjet t’i kemi më të qarta dhe t’i respektojmë së bashku”, deklaroi Thaçi. Ai ka shtuar se rikthimi i Kuvendit do të ndihmojë në zgjidhjen e disa çështjeve për zgjidhje të krizës.
Më herët, Johannes Haindl u takua edhe me liderin e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, i cili deklaroi se asgjë konkrete nuk është marrë dhe takimi në fjalë ka qenë vetëm fillim i bisedimeve.
Gjatë ditës së djeshme Haindl zhvilloi takime edhe me liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, ministrin e Punëve të Jashtme, Nikola Poposki dhe me ambasadorin e SHBA-së në Maqedoni, Jess Baily.