Fatjon Cuka
09 Qershor 2016•Përditësim: 10 Qershor 2016
TIRANË (AA) – Seanca e sotme plenare e Kuvendit të Shqipërisë është karakterizuar nga debatet mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës lidhur me procesin e reformës në drejtësi, ku pjesë e debatit është bërë edhe kryeministri, Edi Rama, raporton Anadolu Agency (AA).
Deputetët e opozitës kanë tentuar të ndërpresin fjalën e kryeministrit Rama, duke u afruar tek foltorja e Parlamentit, ndërsa ka patur edhe ndërprerje të seancës për disa minuta.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama u ndal në procesin e reformës në drejtësi, që kohët e fundit është kthyer në një nga reformat më të diskutuara në vend. Ai ka theksuar se qeveria është e gatshme të bisedojë me opozitën, por ka shtuar se me ose pa deputetët e opozitës kjo reformë do të miratohet.
Deputetët e opozitës kanë rrethuar foltoren gjatë fjalimit të kryeministrit Rama dhe i kanë kërkuar drejtueses së seancës, nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj, që të mbledhë Byronë e Kuvendit.
Pas dështimit të takimit mes kryeministrit, Edi Rama, dhe liderit të opozitës, Lulzim Basha, ndërkombëtarët kanë bërë thirrje të arrihet konsensusi për miratimin sa më shpejt të reformës për sistemin e drejtësisë.
Në një reagim të përbashkët Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e shteteve anëtare të BE-së në Tiranë u shprehën se nxisin Shqipërinë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për miratimin e paketës ligjore për reformën në drejtësi.