Agon Fehmiu
22 Tetor 2015•Përditësim: 23 Tetor 2015
PRISHTINË (AA) – Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës, Prenk Gjetaj dhe homologu i tij Malazez, Dragan Gjukanoviç, sot në Prishtinë, kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi mes dy vendeve, për këtë çështje, raporton Anadolu Agency.
Dokumenti përmban disa pika që kanë të bëjnë me shkëmbimin e informacioneve, për punën në procesin e ndriçimit të pagjeturve si pasojë e luftërave në vendet e ish-Jugosllavisë, në fund shekullit të kaluar.
Pjesë e tentativës për bashkëpunim sipas kryetarit të Komisionit kosovar, Prenk Gjetaj, do të jenë të gjitha shtetet e përfshira në mënyrë direkte apo indirekte në këtë proces ku ka persona të zhdukur. “Ne do të jemi të interesuar edhe me shtete të tjera që kanë qenë në luftë në periudhën e viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar, të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi”, tha Gjetaj.
Ai shtoi se, në kuadër të numrit të përgjithshëm të personave të zhdukur në hapësirat e ish Jugosllavisë, afro një e pesta është nga Kosova. “Në nivel të Jugosllavisë në informacion që disponojmë kemi mbi 10 mijë persona të zhdukur, vetëm Kosova i ka të evidentuar 1 650 persona”, tha kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur i Kosovës.
Sipas tij, bashkëpunimi ndërmjet të dy shteteve, Kosovës dhe Malit të Zi do të lehtësoj në masë të madhe, zbardhjen e fatit të të pagjeturve. “Ky bashkëpunim do të ndihmojë që të ketë qasje institucionale së pari shkëmbimi i informacioneve, së dyti, evidentimin e personave të zhdukur së treti, informacionet për vendndodhjen e mundshme të varrezave individuale dhe masive dhe gjetjen, gjegjësisht gërmimin, vlerësim, zhvarrimin e tyre. E fundit dhe që është shumë e rëndësishme e që mund të jetë edhe e para, bashkëpunimi me familjet, sepse të drejtën për të kërkuar dhe për të ditur, për fatin e më të dashurve të tyre e kanë të garantuar edhe me konventa ndërkombëtare”, u shpreh Gjetaj.
Ai theksoi se, zbardhja e fatit të të pagjeturve nuk duhet të politizohet por, institucionet qeverisëse duhet të japin mbështetje të madhe në këtë proces. “Ta largojmë politikën jashtë çështjes së punës në ndriçimin e fatit të personave të pagjetur. Do të thotë, të ketë qasje institucionale por gjithnjë me qëllim të një realizimi, të një të drejte themelore njerëzore”, theksoi ai.
Gjetaj u shpreh se Kosova është e interesuar të krijojë marrëdhënie bashkëpunimi edhe me vendin tjetër fqinj. “Madje, ne edhe me Serbinë do të jemi të interesuar të kemi një marrëveshje bashkëpunimi ndër shtetërorë për çështjen e ndriçimit të fatit të personave të pagjetur”, përfundoi Gjetaj.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur të Malit të Zi, Dragan Gjukanoviq, këtë marrëveshje e konsideron shumë të rëndësishme për nxitjen e bashkëpunimit regjional për zgjidhjen e fatit të pagjeturve, duke vlerësuar se bashkëpunimi me Kosovën do të kontribuoj shumë për arritjen e këtij qëllimi.
“Të gjitha këto do t’i bëjmë për ta arritur qëllimin përfundimtar, human dhe i cili është edhe një çështje e ndjeshme politike, zbardhja e fatit të zhdukurve në hapësirat e tërë ish-Jugosllavisë, kudo ka pasur luftime”, tha Gjukanoviq.
Sipas tij, është posaçërisht e rëndësishme që procesi i zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, gjatë luftërave në hapësirat e ish Jugosllavisë, të unifikohet. “Përpilimi i një liste të përbashkët të personave të zhdukur, në nivel regjional dhe marrëveshja të cilën do ta arrijmë me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur si dhe Komitetin e Kryqit të Kuq”, theksoi Gjukanoviq.
Në fund të konferencës për shtyp, Gjetaj i falënderoi mediet për punën që e kanë bërë në përcjelljen e procesit të gjetjes së personave të zhdukur dhe apeloi për edhe më shumë mbështetje, në të ardhmen.
Ndërkohë, pas përfundimit të konferencës për medie, Gjetaj dhe Gjukanoviq, së bashku vendosën tufa lulesh pranë përmendores për Persona të Zhdukur, në hyrje të objektit të Kuvendit të Kosovës.