Agon Fehmiu
30 Shtator 2015•Përditësim: 30 Shtator 2015
PRISHTINË (AA) – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka takuar edhe Presidentin e Portugalisë, Anibal Cavaco Silva, nga i cili mori përkrahjen e plotë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në veçanti, në UNESCO, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë takimit u bisedua për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, perspektivën evropiane të Kosovës dhe procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës.
Jahjaga e njoftoi Silvan me punën dhe të arriturat e institucioneve të Kosovës në procesin e përmbushjes së reformave për integrimin evropian. Presidentja e Kosovës, me këtë rast, kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Portugalisë për perspektivën evropiane të Kosovës dhe sidomos për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Gjithashtu, Presidentja Jahjaga kërkoi mbështetjen dhe ndihmën e Portugalisë në përpjekjet e Kosovës për njohjet e mëtejme ndërkombëtare të pavarësisë së Republikës së Kosovës, si dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në UNESCO.
Nga ana e tij, Presidenti Cavaco Silva theksoi se Portugalia mbetet përkrahëse e madhe e Kosovës në procesin e integrimit evropian, nënshkrimit të shpejtë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ai njëherësh siguroi Presidenten Jahjaga se Portugalia do ta përkrahë pa rezervë procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, si dhe në organizatat tjera ndërkombëtare.
Sa i përket mbështetjes së përpjekjeve për njohjet e reja ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, presidenti portugez theksoi që, ai do ta shfrytëzoi ndikimin e tij tek ato shtete me të cilat gëzon marrëdhënie të mira bilaterale, posaçërisht në Amerikën Latine.