Agon Fehmiu
30 Tetor 2015•Përditësim: 30 Tetor 2015
PRISHTINË (AA) – Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Mustafa deklaroi se kjo është një Marrëveshje tepër e rëndësishme për Kosovën e cila shpreh vullnetin e të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim feje e etnie, sepse sipas tij është me interes të përbashkët dhe të gjithë përfitojnë nga integrimet evropiane, nga zhvillimi i demokracisë, nga forcimi i shtetit ligjor, nga forcimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve, edhe atyre që janë shumicë, edhe atyre që nuk janë shumicë.
“Përfitimet që do t’i kemi në aspektin e zhvillimit ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja, të marrëdhënieve tregtare me vendet e BE-së, sepse na hapet një treg prej më shumë se 500 milionë banorësh, që do të thotë se lypset që ekonomia jonë të jetë e gatshme të zhvillohet dhe të aplikojë në këtë treg”, tha kryeministri Mustafa.
Mustafa falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar për të arritur deri te nënshkrimi i MSA-së, duke filluar nga ambasadorja aktuale e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ish-ministre e Integrimeve Evropiane, ministrin aktual Çollaku, pushtetin lokal, si dhe të gjitha institucionet e tjera të Kosovës.
Kryeministri Mustafa njoftoi kabinetin qeveritar se bashkë me zëvendëskryeministrin, Thaçi, ministrin e Integrimeve, Çollaku dhe me kryetarin e Kuvendit, Veseli, janë pajtuar që të hënën të mbahet seanca e Kuvendit, me një pikë të vetme të rendit të ditës, ratifikimin e MSA-së.
Duke prezantuar Projektligjin për Ratifikimin e MSA-së ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ministri i Integrimit Evropian Çollaku shpjegoi se kjo marrëveshje ka rëndësi të trefishtë: politike, ligjore dhe ekonomike.
“Nga këndvështrimi politik, MSA-ja ka avancuar marrëdhëniet tona me BE-në nga një marrëdhënie deklarative politike dhe e vullnetit të mirë, në marrëdhënie kontraktuale me të drejta dhe obligime për të dy palët nënshkruese. Si e tillë, MSA-ja është bazament i procesit formal të anëtarësimit tonë në BE. Me nënshkrimin e MSA-së, Kosova ka filluar rrugëtimin e saj zyrtar drejt anëtarësimit në BE. Në kuadër të MSA-së, BE-ja ka marr obligim të realizojë perspektiven evropiane të Kosovës, duke integruar Kosovën në BE, në harmoni me kriteret e Kopenhagës të vitit 1993” tha ministri Çollaku.
Nga këndvështrimi ligjor, Çollaku theksoi se MSA-ja formalizon dialogun institucional me BE-në, do të përafrojë legjislacionin ekzistues dhe legjislacionin e ardhshëm në mënyrë graduale me tërë legjislacionin e BE-së dhe se MSA-ja gjithashtu parasheh thellimin e bashkëpunimit dhe reformat e nevojshme në më shumë se 40 fusha të ndryshme.
Nga aspekti ekonomik, ministri Çollaku shpjegoi se MSA-ja do të këtë një varg të efekteve pozitive, duke filluar nga krijimi i zonës së tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe BE-së, brenda 10 viteve.
“Nga hyrja në fuqi e MSA-së, do të mundësohet nga një anë, qasja e plotë e produkteve të Kosovës në BE dhe nga ana tjetër, liberalizimi gradual i tregut të Kosovës për produktet e BE-së. Liberalizimi i tregut ndërmjet Kosovës dhe BE-së do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e konkurrencës së ekonomisë tonë që do të ofrojë shërbimet më kualitative, produkte më të mira dhe çmime më të lira për qytetarët. MSA-ja do të ofrojë më shumë stabilitet dhe parashikueshmëri për investitorët dhe rrjedhimisht do të kontribuojë në rritjen e investimeve të huaja direkte” tha ministri Çollaku.
Në fund, ai theksoi se, shikuar në përgjithësi, MSA-ja do të ndikojë në ristrukturimin e ekonomisë kosovare, rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e papunësisë.