Servet Günerigök
20 Janar 2021•Përditësim: 20 Janar 2021
Presidenti i SHBA-së në largim Donald Trump mbajti fjalimin lamtumirës të martën përpara inaugurimit të presidentit të ri të vendit, duke zbuluar të dhënat se gjatë kohës së tij në detyrë, SHBA nuk ka filluar asnjë luftë të re, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Unë veçanërisht jam krenar që jam presidenti i parë në dekada që nuk ka filluar asnjë luftë të re", tha Trump në një video, gjatë së cilës ai falënderoi anëtarët e administratës së tij për mandatin katër-vjeçar.
Në fillim të fjalës së tij, Trump tha se nisi misionin që ta "bënte Amerikën përsëri të madhe", një moto të cilën ai e përdori vazhdimisht gjatë deklaratave të tij dhe "ne e bëmë atë për të cilën erdhëm për ta bërë, madje edhe shumë më tepër".
"Këtë javë, ne inaugurojmë një administratë të re dhe lutemi për suksesin e saj në mbajtjen e Amerikës të sigurt dhe të prosperuar", tha ai duke i shprehur urimet e tij më të mira administratës së presidentit të zgjedhur Joe Biden pa përmendur pasardhësin e tij.
Ai tha se administrata e tij ringjalli aleancat amerikane dhe "mblodhi kombet e botës për t'i dalë ballë Kinës si kurrë më parë".
Duke folur për Lindjen e Mesme, presidenti në largim kujtoi se SHBA mposhti DEASH-in dhe vrau liderin e saj si dhe qëndroi në këmbë kundër "regjimit shtypës iranian dhe vrau terroristin më të madh në botë, kasapin iranian Qasem Soleimani".
Ai tha se gjatë presidencës së tij, Washingtoni gjithashtu njohu Kudsin si kryeqytetin e Izraelit dhe njohu sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë e Golanit, megjithë protestave dhe kundërshtimeve ndërkombëtare.
Biden pritet të inaugurohet si presidenti i 46-të i SHBA-së, por Trump hodhi poshtë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, duke potencuar mashtrime dhe bëri thirrje për tubime masive.
Në një mbledhje më 6 janar në Washington, D.C., Trump mbajti një fjalim të diskutueshëm para një turme, pas së cilës mbështetësit e tij marshuan drejt Kapitolit të SHBA-së ndërsa ligjvënësit po numëronin votat e Kolegjit Zgjedhor për fitoren e Bidenit.
Turma e mbështetësve të Trumpit sulmoi ndërtesën legjislative ndërsa përplasjet që pasuan rezultuan në vdekjen e 5 personave.
Ndaj Trumpit u ngrit impiçment në Dhomën e Përfaqësuesve në lidhje me "nxitjen e kryengritjes" dhe po përballet me një gjyq të Senatit pas inaugurimit.
"Tani, ndërsa jam duke u përgatitur për t'ia dorëzuar pushtetin një administrate të re në mesditën e së mërkurës, dua që juve t'ua bëj me dije se lëvizjet që kemi filluar sapo kanë filluar", tha ai.
"Asnjëherë nuk ka pasur diçka të ngjashme me të. Besimi se një shtet duhet t'u shërbejë qytetarëve të tij nuk do të pakësohet, por përkundrazi do të forcohet çdo ditë", tha Trump.