TIRANË (AA) Ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar nga Zëvendësministri Klodian Rjepaj, Kreu i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe drejtues e punonjës të tjerë të sistemit të kujdesit shëndetësor, zhvilloi një takim sot me ekipin kombëtar të futbollit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadrin e nismës "Shqipëria Jo Duhanit”, përfaqësues të shoqërisë civile dhe personalitete të shquara të sportit, artit, kulturës e shkencës po japin mbështetjen e tyre.
Ekipi kombëtar i futbollit është aktualisht në fazën stërvitore në vigjilje të ndeshjes së të shtunës me Danimarkën, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian të Futbollit 2016 dhe Ministri Beqaj pati rastin të takohet me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka dhe drejtues të tjerë të institucionit më të lartë të futbollit në vend, kapitenin e ekipit Lorik Canaj, trajnerin Gianni De Biasi dhe pjesëtar të tjerë të ekipit tonë përfaqësues, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Ne besojmë se mbrojtja e shëndetit nga duhanpirja, është një nga sfidat kryesore të sistemit shëndetësor, por pa dyshim të Ministrisë së Shëndetësisë,” – tha Ministri Beqaj ndërmjet të tjerash, duke shtuar se “jemi të bindur se duhet të punojmë në shumë plane, përveç zbatimit rigoroz të ligjit bashkë me ndryshimet e reja. Është shumë e rëndësishme të promovojmë tek të rinjtë sportin.”
Të gjithë lojtarët e përfaqësues së Shqipërisë në futboll i’u bashkuan njëzëri nismës “Shqipëria Jo duhanit”, e cila u lançua javën e parë të shtatorit nga disa organizata dhe aktorë të shoqërisë civile, mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë, me synim informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për t’i thënë ndal duhanpirjes. Lojtarët e ekipit përfaqësues shqiptar u shprehën se kjo është një përpjekje që duhet ta bëjmë bashkërisht, duke përcjellë mesazhin edhe te rinia se, duhanpirja është realisht e dëmshme për shëndetin.