Bekim Laci
18 Maj 2016•Përditësim: 18 Maj 2016
LONDËR (AA) – Kapiteni i skuadrës londineze, Chelsea, John Terry (35) ka hequr sot të gjitha dilemat rreth qëndrimit të tij në klub duke nënshkruar një kontratë të re njëvjeçare me klubin, transmeton Anadolu Agency.
“Të gjithë e dinë që i tëri jam Chelsea. Me padurim pres sezonin e ri me trajnerin e ri, me shpresë se mund të kemi një sezon të suksesshëm”, thuhet në njoftimin e Terryt të publikuar në ueb faqen zyrtare të klubit.
Presidenti i klubit, Bruce Buck, ka theksuar se të gjithë janë të lumtur nga ky veprim i kapitenit. “Ai ishte lider i ekipit në periudhën më të suksesshme të klubit. Së fundmi arriti në 700 ndeshje të zhvilluara në fanellën e Chelsea që dëshmon përkushtimin e tij profesional”,- ka thënë Buck.
Mbrojtësi i jashtëzakonshëm i klubit londinez me klubin ka fituar katër tituj të kampionit të Anglisë, pesë herë kupën FA, tre kupa të Ligës, dhe nga një herë Ligën e Kampionëve dhe ligën UEFA.