Ali Bayaslan
21 Tetor 2019•Përditësim: 21 Tetor 2019
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu tha se në rast se terroristët e YPG/PKK-së nuk tërhiqen nga zona e planifikuar e sigurtë brenda kohës së paraparë, operacioni "Burimi i Paqes" do të fillojë përsëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu, mbajti një fjalim në seancën e veçantë të "TRT World Forum" që filloi në Qendrën e Kongreseve në Stamboll me temën "Kriza e Globalizimit: Reziqet dhe Mundësitë".
Duke folur në lidhje me atë se çfarë kërkon Turqia nga Siria, Çavuşoğlu tha se "Besojmë se konflikti në Siri mund të zgjidhet vetëm në mënyrë politike", për të shtuar se si një ndër garantuesit e procesit Astana do të vazhdojnë përpjekjet e tyre në këtë drejtim.
Ai rikujtoi se mbledhja e parë e Komisionit të sapoformuar të Kushtetutës mbledhjen e parë do ta realizojë më 30 tetor në Gjenevë.
"Mbi 360 mijë sirianë janë kthyer nga Turqia në dy rajonet e pastruara nga terrori", u shpreh Çavuşoğlu për dy operacionet anti-terroriste që Turqia realizoi në veri të Sirisë, operacioni "Mburoja e Eufratit" dhe operacioni "Dega e Ullirit".
"Përderisa ishim duke punuar me SHBA-të në terren për të formuar zonën e sigurtë, SHBA vazhdoi të furnizojë YPG-në me armë", tha Çavuşoğlu në lidhje me shkakun e nisjes së operacionit "Burimi i Paqes".
Kryediplomati turk potencoi se në operacionin "Burimi i Paqes" në objektiv janë vetëm terroristët dhe janë bërë përpjekje shumë të rëndësishme për të mos dëmtuar civilët.
"Nuk kemi qëndrim kundër kurdëve. Edhe në veri të Irakut kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe ndërkohë strehojmë 350 mijë sirianë kurdë", shtoi ai.
"Në historinë tonë asnjëherë nuk kemi përdorur armë kimike. Kjo është një propagandë e zezë", tha Çavuşoğlu duke refuzuar të gjitha pretendimet kundër Turqisë.
Duke folur për pauzimin e operacionit "Burimi i Paqes", ai tha se "Kanë mbetur edhe 35 orë. Në rast se nuk tërhiqen brenda 35 orëve operacioni do të fillojë përsëri".
- Operacioni "Burimi i Paqes"
Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin "Burimi i Paqes" në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.
Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane, PYD/YPG.
Ndërkaq, më 17 tetor, Turqia dhe SHBA arritën një marrëveshje për të pauzuar operacionin antiterrorist në veri të Sirisë.
Turqia ra dakord të pauzojë operacionin e saj "Burimi i Paqes" për 120 orë në mënyrë që të lejojë tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e planifikuar e sigurtë.
Në bisedimet e së enjtes së kaluar, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe nënpresidenti amerikan Mike Pence gjithashtu ranë dakord që Turqia të ketë një zonë prej rreth 30 kilometrash në kufirin sirian.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.