Yusuf Şahbaz
06 Shtator 2017•Përditësim: 07 Shtator 2017
IZMIR (AA) - Të enjten në qytetin e Izmirit në Turqi do të ekspozohen 94 fotografi të shpërblyera në Istanbul Photo Awards 2017, të organizuar nga Anadolu Agency (AA).
Pas Stambollit dhe Ankarasë, ekspozita do të hapet nesër në Izmir, ku do të jetë e hapur deri më 17 tetor.
Drejtoresha e Departamentit të Komunikimeve Korporative të AA-së, Esra Kireççi, tha se ekspozita e tretë këtë vit e fotografive të shpërblyera në edicionin e tretë të Istanbul Photo Awards do të hapet për publikun më 7 shtator.
Kireççi tha se ekspozita do të jetë e hapur për një muaj në Galerinë Folkart, galerinë më prestigjoze të artit në Izmir. Sipas saj, ekspozita, pas Izmirit, do të hapet në New York në tetor dhe në Moskë në nëntor.
Ajo shtoi se Istanbul Photo Awards gjatë këtyre tre viteve të organizimit ka arritur në një nivel të suksesshëm. “Në vitet që vijnë, AA synon të sjellë konkurrencën në një nivel edhe më të lartë. Si ekip jemi shumë të ngazëllyer. I presim të gjithë qytetarët e Izmirit në hapjen e nesërme”, tha Kireççi.
Fotoja e vitit në konkursin Istanbul Photo Awards këtë vit u zgjodh fotografia “Ikja nga DEASH-i”, e shkrepur nga fotoreporteri francez Federico Lafarge për Paris Match.
Ndërkaq, Aris Messins zuri vendin e parë në kategorinë e “lajmeve serike” me fotografitë e titulluar “Vdekja në Mesdhe”, të shkrepura për Agjencinë France Press (AFP).
Fotografia “Nën sipërfaqen” e Adam Pretty, e shkrepur për “Getty Images”, u zgjodh si më e mira në kategorinë “sportive teke”, kurse seria e fotografive nga Patrick Smith, gjithashtu për “Getty Images”, u përzgjodh më e mira në kategorinë e” fotografive serike në sport”.
Në kategorinë e portreteve serike fituese ishte Mary Gelman me një seri fotografish të grave viktima.
Kemal Jaafri u përzgjodh më i miri në kategorinë e “fotografive serike për natyrën dhe mjedisin” me fotografitë e titulluara “Ushqyerja e orangutangëve jetimë”, ndërsa fotografia “Fusha e golfit Papwa Sewgolum” nga Johnny Miller, e shkrepur për Millefoto, u përzgjidh fotografia më e mirë kategorinë e “fotografive teke për natyrën dhe mjedisin”.
Juria shpërbleu fotoreporterin e lirë nga Gaza Hosam Salem me shpërblimin “Fotoreporteri i Ri” më i mirë me fotografinë “Trajnimi në rrugë në Gaza”.
Juria prestigjoze zgjodhi fotografitë më të mira nga gjithsej 25 mijë fotografi me të cilët fotografë nga bota kishin aplikuar në garë. Në këtë eveniment u shpërblyen 22 fotografë nga 17 shtete, kurse sponsorë zyrtarë ishin “Turkish Airlines” (THY) dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).