Çiğdem Alyanak
25 Prill 2019•Përditësim: 26 Prill 2019
Ushtari i ANZAC (Australian and New Zeland Army Corps), i cili në frontin e Galipolit, në Turqinë e sotme, kishte ardhur 104 vite më parë, në letrën dërguar familjes së tij flet për sjelljen humane të ushtarëve turq ndaj armikut.
Beteja e Galipolit ishte një nga betejat më të përgjakshme dhe më të ashpra gjatë Luftës së Parë Botërore (LPB), në bazë të treguesve të shumtë dhe në përgjithësi gjatë historisë. Megjithatë, jo rrallë mund të hasësh në shkrime të shembujve të sjelljes humane të ushtarëve turq, për çka ka shkruar edhe ushtari i ANZAC-ut, letra e të cilit është pjesë e koleksionuesit Seyit Ahmet Silay nga Çanakkalaja e Turqisë.

Ushtari në letrën e shkruar më 22 tetor të vitit 1915 flet për zhvillimet në front, si dhe për miqësitë nga fronti, sjelljen humane të ushtarëve turq dhe rreth kushteve të jetës në përgjithësi.
Ai në letër përshkruan se si kanë arritur të afrohen me ushtarët turq.
"Dy ditë brenda kësaj jave turqit ishin shumë miqësorë. Edhe ne, edhe ata dolëm nga istikamet. U dhamë mish dhe ushqime të tjera që kishim, kurse ata neve na dhanë cigare dhe duhan", thekson ushtari.
Në letrën e shkruar në tre faqe më tej thuhet:
"E dashura Addie,
Po ju shkruaj shkurtimisht për t'iu njoftuar se si jam... Nëse anashkalojmë ftohjen e vogël, për të cilën besoj se nuk do të kaloj në diçka serioze, jam shumë mirë. Zotëriu Murray të cilin e njoftove në tren, shpreson ta mbash mend. Këtu për momentin është qetë, por nuk besoj se do zgjasë, askush nuk mund ta dijë se nga do fryejnë erërat.
Gjatë dy ditëve të kësaj jave turqit ishin shumë miqësorë. Edhe ne, edhe ata dolën nga istikamet. Ne u dhamë mish dhe ushqime të tjera, ata na dhanë cigare dhe duhan. Assesi nuk mund të bie në kontakt me Lesin dhe në çdo rast mundohem të mësoj diçka nga bashkëluftëtarët e tij. Besoj se ti, deri sa të mbërrijë letra, të mësosh se çfarë i ka ndodhur dhe ku është. But për shkak të gastritit është në spital, por mendoj se nuk ka diçka serioze dhe së shpejti do të jetë me ne", kishte shkruar ushtari.
Ai më tej përshkruan se si i afërmi i tij Fred B. me luftëtarët nga Sydney duan të kthehen në shtëpi, por se nuk u japin leje.
Koleksionisti Silay për Anadolu Agency (AA) thotë se në zonën e quajtur Queens Port, istikamet kanë qenë shumë afër njëra-tjetrës dhe se aty kryesisht ishin ushtarët britanikë dhe australianë.
Më tej ai shtoi se letra është një dëshmi e shkëmbimit të dhuratave në mes ushtarëve turq dhe pjestarëve të ANZAC dhe se në Çanakkala kanë ndodhur gjëra të cilat nuk ishin të zakonshme për një front.
Silay thotë se çdo 25 prill, përfaqësues të Australisë, Zelandës së Re, Britanisë së Madhe dhe Francës vijnë dhe nderojnë të rënët.
Ai konsideron se të quash "Xhentile" betejën e Galipolit është shumë e gabuar, pasi që luftat apo betejat nuk mund të quhen ashtu.
"Ta quash këtë betejë 'xhentile', është fyerje për dëshmorët tanë. Në fund të fundit, ata nuk ishin vëzhgues të cilët 104 vite më parë erdhën në piknik dhe ne nuk i sulmuam ata", konsideron Silay.
Po ashtu shtoi se sot mund të dëgjosh rrëfime të ndryshme interesante nga fronti.
"Kishte ushtarë të cilët gjatë ditës luftonin ndërsa në mbrëmje ishin në paqe. A ka qenë kështu në luftërat tjera, sigurisht që jo", thotë Silay.
Më tej rikujtoi se në konfliktin e 19 majit vetëm për disa orë pati 10.000 të vrarë.
"Aty pati shumë të vrarë. Trupat filluan të fryhen. Aromë e papërshkrueshme dhe britmat e të plagosurve rrënqethnin nga të dyja palët. Ndërsa më 24 maj 1915 ndoshta është arritur armëpushimi i parë në Luftën e Parë Botërore. U ulën komandantët e të dyja palëve të dakordojnë kushtet e armëpushimit. Aleatët dhe ushtarët osmanë për herë të parë dhe pa armë u ulën ballë për ballë më 24 maj. Para tyre nuk kishte aso turq që i kishin përshkruar më parë", tha Silay i cili rikujtoi se ushtarët e armikut i kanë përshkruar turqit si të pamëshirshëm dhe se nuk guxojnë të kapen robër.
Ai shtoi se ushtarët e ANZAC në ditarët e tyre kanë shkruar përjetimet në front.
Silay tha se turqit pas 24 majit në sytë e aleatëve vazhdonin të shiheshin si armiq, por se më nuk ishin të urryer.