MOSKË (AA) – Emre Gürkan Abay
Presidenti i Republikës së Turqisë, Reçep Tayyip Erdoğan, nesër në një vizitë zyrtare në Rusi do të udhëheqë delegacionin e madh të zyrtarëve turq, ku qëllimi i vizitës është vazhdimi i procesit të normalizimit të marrëdhënieve dhe intensifikimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Moskë nesër do të mbahet seanca e bashkëpunimit turko-rus, e cila vitin e kaluar nuk u mbajt për shkak të krizës në marrëdhëniet dypalëshe të shkaktuara nga rrëzimi i avionit rus në nëntor 2015 në jug të Turqisë.
Kriza në marrëdhëniet dypalëshe turko-ruse u ndërpre nga mesi i vitit të kaluar, kur Presidenti i Turqisë Erdoğan i dërgoi letër homologut të tij rus Vladimir Putin dhe pastaj të dy liderët zhvilluan një takim të përbashkët. Kështu filloi procesi i normalizimit të marrëdhënieve, e cila në janar të këtij viti, rezultoi në rritjen e eksporteve turke në Rusi në 150 milionë dollarë, e cila është për 59.1 për qind më shumë nga eksportet në dhjetor të vitit të kaluar.
Të dyja palët kanë bërë përparime të mëdha në intensifikimin e bashkëpunimit në sektorët e energjisë dhe turizmit, por ende janë në fuqi një numër kufizimesh që Rusia pas kishte futur pas rrëzimit të avionit për qytetarët turq që jetojnë në Rusi, si dhe për kompanitë turke dhe individët të cilët bashkëpunojnë me Rusinë. Kufizimet janë në fuqi edhe ndaj sektorit të bujqësisë turke.
Gjatë seancës së nesërme të Këshillit të bashkëpunimit turko-rus pritet që para presidentëve Erdoğan dhe Putin të jenë një sërë marrëveshjesh mbi intensifikimin e bashkëpunimit bilateral në ekonomi, energjetikë, mbrojtje dhe kulturë, dhe pritet të shqyrtohen mundësitë dhe zbutjet konkrete të sanksioneve të mbetura ruse ndaj Turqisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të shtunën se seanca e bashkëpunimit turko-rus do të mbahet në format të ri, të cilin Rusia e aplikon vetëm me disa shtete me të cilat ka marrëdhënie intensive dhe miqësore.
Po ashtu edhe kreu Diplomacisë rus Sergei Lavrov tha se ky është një takim i rëndësishëm në nivelin më të lartë, ku liderët e të dy vendeve do të diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit në tregti, investime të përbashkëta, por edhe për çështje të rëndësishme rajonale të tilla si Siria.
Në axhendën e takimit janë edhe zbutja e ndalesave ndaj Turqisë
Vëmendje të veçantë në këtë takim do t'i kushtohet negociatave për statusin e kompanive dhe biznesmenëve turq që veprojnë në Rusi. Edhe pse të dy vendet po normalizojnë marrëdhëniet në të gjithë sektorët, ende mbeten në fuqi disa sanksione të ciat vitin e kaluar Rusia i vendosi ndaj subjekteve turke të biznesit.
Disa nga këto sanksione kufizojnë qasjen në kompanive turke në tendera në Rusi, dhe në masë të madhe kompanive në Rusi i është ndaluar që të punësojnë shtetas turq. Për shkak të këtyre sanksioneve shumica e biznesmenëve turq kanë shitur kompanitë e tyre në Rusi, kurse një numër i madh i tyre është mbyllur për shkak se kanë humbur konkurrencën në treg.
Presidenti i Unionit të Sipërmarrësve turko-ruse Naki Karaaslan, për AA ka thënë se pritet që së shpejti të hiqen krejtësisht sanksionet e Rusisë ndaj subjekteve turke, si dhe ndalimin rus të importit të produkteve bujqësore turke.
"Është e nevojshme që urgjentisht të gjendet një zgjidhje e arsyeshme që do të mundësonte vazhdimin e veprimtarisë të kompanive ruse me kapital turk, të cilat punësojnë më shumë se 100 mijë njerëz", tha Karaaslan.
Bashkëpunimi në sektorët e mbrojtjes, energjetikës dhe turizmit
Kohët e fundit, Turqia ka deklaruar se ka nisur negociatat me Rusinë për blerjen e sistemit mbrojtës S-400 në mënyrë që të tejkalohet problemi i furnizimit me arsenal raketorë dhe kundër-raketorë.
Edhe drejtori i kompanisë ruse Rostech Serge Chemezov ka konfirmuar se janë duke vijuar negociatat për pjesën financiare të këtij bashkëpunimi.
Ministri rus i Mbrojtjes Aleksandr Fomin ka thënë se ka nuk është hequr mundësia që para presidentëve Putin dhe Erdoğan të jet e gatshme marrëveshja për shitjen e sistemit raketor S-400.
Ndërtimi i tubacionit të Rrjedhës Turke është një nga temat në të cilat Turqia dhe Rusia kanë bërë shumë hapa drejt intensifikimit të bashkëpunimit në muajt e fundit. Kompania ruse Gazprom në afat të shkurtër është frunizuar me pothuajse të gjitha lejet e nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit. Plani është që në gjysmën e dytë të këtij viti të fillojë ndërtimi përtej detit.
Një tjetër temë e takimit të nesërm duhet të jetë ndërtimi i përbashkët i centralit të parë bërthamor në Akuju të Turqisë.
Po ashtu edhe turizmi është një nga sektorët ku Turqia dhe Rusia kanë hapëruar drejt procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Presidenti rus Putin vitin e kaluar hoqi ndalesën për fluturime çarter në Turqi dhe agjencitë turke ripërtërinë ofertën e tyre të pasuruar me destinacionet turistike turke. Këtë vit Turqia pret tre milionë turistë rusë.
Rusia ende insiston në ndalimin e importit të produkteve bujqësore turke
Gjatë krizës në marrëdhëniet dypalëshe, Rusia ka ndaluar importin e produkteve ushqimore nga Turqia, e cila deri atëherë ishte një nga furnizuesit më të mëdhenj të këtyre mallrave në Rusi. Analistët thonë se Kremlini mund të mbajë këto sanksione për të mbështetur zhvillimin e sektorit të saj bujqësor.
Turqia në Rusi në vitin 2015 kishte eksportuar 875.4 milionë dollarë perime dhe fruta, kurse vitin e kaluar eksportet ranë me 62.1 për qind dhe u ulën në vetëm 331.7 milionë dollarë.
Zyrtarë anonimë rusë për AA thanë se ata presin që në takimin e nesërm në Moskë të arrihet marrëveshje edhe për lehtësimin e këtyre sanksioneve.