SHKUP (AA) - ADMIR FAZLAGIKJ -
Është e çuditshme, por e vërtetë. E çuditshme, sepse në civilizimin modern është vështirë të supozohet se ende mund të ketë përleshje me përmasa të tilla, por e vërtetë për shkak të faktit se pikërisht në hapësirat ballkanike ka zgjatur rrethimi më i madh i një qyteti në historinë moderne (kryeqyteti i Bosnjë e Hercegovinës, Sarajeva, 44 muaj), si dhe përleshjet e shpeshta mes popujve ballkanik, veçmas pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Faji politik dhe shoqëror rreth krizës së refugjatëve, që sërish u aktivizua, në këtë moment kritik për politikanët, me qëllim të rritjes së mbështetjes publike nga populli, hap rrugën për rritjen e tensioneve në Ballkan.
Se në Ballkan ende instrumenti kryesor për fitimin e pushtetit është nacionalizmi, madje edhe shovinizmi tregon retorika parazgjedhore që e përdorin politikanët duke përcjellë mesazhet e tyre deri te populli, prej të cilit e kërkojnë besimin. Në Serbi zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë caktuar më 24 prill të këtij viti dhe pikërisht në jehonën e prezantimit politik në veri të Kosovës në fillim të këtij muaji miting mbajti Partia Përparimtare Serbe (PPS) kryetar i së cilës është Aleksandar Vuçiç, i cili është edhe kryeministër aktual i Serbisë.
Në miting morën pjesë disa mijëra serbë të Kosovës, të cilët erdhën t’i dëgjojnë porositë e kryeministrit serb dhe partisë së tij. Ajo që fare nuk mund të evitohej ishte nacionalizmi i shprehur dhe propaganda ruse në fjalimet e politikanëve, por sigurisht, nuk është për t’u anashkaluar edhe ikonografia e mitingut, ku vëreheshin flamujt e Rusisë dhe mbishkrimet me mbështetje për këtë vend, për shkak të cilës për një çast mund të paramendonit se në vend se në Kosovë gjendeni në ndonjë miting në Rusi.
Krahas faktit të pashmangshëm se Kosova është shtet multikonfesional në të cilën jetojnë muslimanë, të krishterë, katolikë dhe pjesëtarë të religjioneve tjera, politikanët në këtë tubim disa herë theksuan se “Kosova është djep i ortodoksisë serbe”, si dhe “në Kosovë gjithçka është serbe”.
- Rusia – mbrojtëse e Serbisë-
Ata të cilët e ndjekin skenën politike ndërkombëtare, mirë e mbajnë mend se me veton ruse ndaj propozimit të Rezolutës për Srebrenicën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KB) u pengua që Serbia të shpallet ekzekutore e gjenocidit. Pikërisht për këtë shkak, si dhe për shkak të votimit kundër të Rusisë dhe aleatëve të saj për pranimin e Kosovës në UNESKO u bë fjalë në mitingun e mbajtur në komunën e vogël Zubin Potok në veri të Kosovës, ndërsa sigurisht u nënvizua se Serbia asnjëherë nuk do të vendos sanksione ndaj Rusisë në shenjë falënderimi për atë që ka bërë për këtë vend ballkanik.
“Verën e kaluar Rusia e Madhe dhe presidenti i saj Putin, penguan rezolutën për Srebrenicën. Verën e kaluar, Rusia pengoi shtetin e rrejshëm të Kosovës që të bëhet anëtare e UNESKO-s. Në këtë vend të shenjtë së bashku me ushtarët serbë luftuan edhe vullnetarët serbë. Rusia çdoherë e ka ruajtur Kosovën, ashtu e ruan edhe sot. Andaj doemos duhet ta ruajmë miqësinë me Rusinë tonë. Rusia e mbron këtë listën tonë meqë ata e dinë se Serbia asnjëherë nuk do të vendos sanksione ndaj Rusisë”, deklaroi në mitingun Nenad Popoviq, lideri i Partisë Përparimtare Serbe e cila është pjesë e pushtetit në Serbi.
Ai u lavdërua me faktin se gjatë dy viteve të fundit kryeministri serb Vuçiç ka realizuar gjashtë takime me presidentin rus Vlladimir Putin, duke treguar me këtë për afërsinë e këtyre dy vendeve. Po ashtu, njëra nga porositë e cila iu përcoll serbëve në Kosovë është se ata janë mburoja e atdheut Serbi, duke i siguruar se asnjëherë nuk do të harrohen nga Beogradi zyrtar.
- Kosova, një shtet me dy realitete -
Duke analizuar gjendjen në Kosovë lehtë mund të bësh dallimin edhe atë në shikim të parë. Në këtë pjesë veriore të Kosovës ku shumica e qytetarëve janë pjesëtarë të bashkësisë serbe mund të vërehet infrastruktura e keqe rrugore, stagnimi ekonomik, ekonomia gri, por megjithatë njerëzit këtu qëndrojnë të jetojnë për shkak të ndihmës financiare të cilën e marrin nga Serbia.
Nga ana tjetër, që nga hyrja nga Maqedonia në Kosovë, deri në Prishtinë gjenden një numër i madh i kompanive të vogla të cilat janë shtytës të rritjes ekonomike ndërsa Prishtina po shndërrohet në qytet modern. Por megjithatë kjo në njëfarë mënyrë nuk mjafton që vendi të funksionojë në mënyrë normale, andaj nevojitet vendosja sa më shumë që është e mundur e marrëdhënieve konkrete mes serbëve dhe shqiptarëve, sepse nuk ka alternativë tjetër, nëse është në pyetje e ardhmja e rajonit.
Është më se e qartë se në pamundësi të ofertës cilësore politike, në program të së cilit do të gjendeshin punësimet, krijimi i kushteve për jetë cilësore dhe ardhmëri më të mirë të të rinjve, politikanët nacionalizmin e shfrytëzojnë si instrument për të marrë pikë politike. Përfundimisht, nevojitet zgjidhje konstruktive e problemeve të hapura me qëllim të gjetjes së zgjidhjes me të cilat do të mund të mbyllen "problemet e kahmotshme të së kaluarës" si dhe të mundësohet një e ardhme më e ndritur për rininë e cila në mungesë të perspektivës blen biletën në një drejtim dhe me çdo çmim insiston të mbetet në vendet e Bashkimit Evropian. Koha e fundit është që të zhvillohet politikë, dhe të ndalet me politkbërje. Është evidente se në Ballkan popujt vuajnë nga ajo për të qenë "të mëdhenj, ndërsa më pas këmbëngulin të jenë shtojca të fuqive të mëdha, të cilat i masin forcat në këto hapësira.
- Politikë e jo politikbërje -
Pashmangshëm nevojitet “kurimi” nga sindromi ballkanik i quajtur “dhoma e ngrohtë”, ku derisa politikanët bisedojnë mes tyre sigurojnë për përmirësimin e raporteve, por në kriza më të vogla sikur harrojnë çka kanë përmendur, për shkak të cilës vjen deri te përkeqësimi i raporteve, e më pas vijnë edhe pasojat në kuptimin ekonomik dhe shoqëror.
Prandaj, në vend të premtimeve deklarative, nevojiten heqje dorë nga qëndrimet e forta dhe gatishmëri për bërje të kompromiseve të cilat do të sjellin deri te krijimi i bazës për prosperitet.
Se vërtet mund të ketë përmirësim të marrëdhënieve vetëm nëse ekziston vullnet politik, tregon edhe aksinoma e mirë e cila thotë se nuk ka popuj të mirë dhe të këqij, por vetëm të ndryshëm, si dhe çdo vend mund të përmirësohet, jap shpresë se ekziston mundësia për një të ardhme më të ndritur në Ballkan, në të kundërtën, robërimi në kthetrat e së kaluarës mund vetëm ta kthejë historinë e padëshiruar dhe labirintet prej të cilës nuk ka rrugëdalje, ndërsa kjo është më pak e nevojshme.