İlhami Erkılıç
23 Mars 2018•Përditësim: 24 Mars 2018
ERZURUM (AA) – Ministri i Zhvillimit i Republikës së Turqisë Lütfi Elvan deklaroi se Turqia në vitin 2017 realizoi rritje ekonomike prej më shumë se shtatë për qind, që së bashku me Kinën dhe Indinë, renditet ndër vendet me rritjen më të lartë ekonomike në botë, raporton Anadolu Agency (AA).
Elvan qëndroi në qytetin turk Erzurum, ku foli për ekonominë e vendit të tij. Ai theksoi se Turqia, derisa zhvillon luftë kundër terrorizmit, njëkohësisht bën përpjekje të mëdha në drejtim të forcimit të mëtejshëm të ekonomisë.
Sipas tij, Turqia është e suksesshme në të dy drejtimet.
“Turqia në luftën kundër terrorizmit ka bërë përparim të madh. Ne njëkohësisht punojmë si të forcojmë ekonominë tonë. Turqia në vitin 2017 tregoi një performansë rritjeje e cila impresionoi mbarë botën. Vitin e kaluar realizuam rritje prej më shumë se shtatë për qind. Turqia, së bashku me Kinën dhe Indinë, është në mesin e vendeve që realizojnë rritjen më të madhe ekonomike”, tha Elvan.
Po ashtu tha se ekonomia turke është e shëndoshë dhe me sukses rritet, dhe se në këtë periudhë si kërkesa ashtu edhe investimet, si dhe eksportet, kanë kontribuar pozitivisht në rritjen ekonomike.