Besar Ademi
21 Tetor 2016•Përditësim: 21 Tetor 2016
SHKUP (AA) - Me një ceremoni solemne MÜSIAD (Shoqata e Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur nga Turqia) hapi degën e saj edhe në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, me synim paraqitjen e një lidhje për bashkimin e biznesmenëve të Maqedonisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, raporton Anadolu Agency (AA).
MÜSIAD e cila operon në 66 vende të botës, me 169 qendra kontakti dhe me mbi 11 mijë anëtarë, përfaqëson mbi 46 mijë kompani të njohura të botës. Për të arritur synimet, MÜSIAD brenda një viti ka arritur të zgjerojë rrjetin e saj duke hapur degë të reja në Washington, Pekin, Bruksel, Paris dhe Zyrih, ndërsa tani edhe në Maqedoni.
Kryetar i Shoqatës MÜSIAD, Nail Olpak, tha se prioriteti i MÜSIAD-it në Maqedoni do të jetë të përforcojë kapacitetet e biznesit në këtë vend, ndërsa më pas me ndihmën e degëve të vendeve tjera do të kontribuojnë në realizmin e projekteve të suksesshme të cilat do të zhvillojnë ekonominë e vendit.
“Fakt është se MÜSIAD është një shoqatë e biznesmenëve turq me një degë kryesore në Turqi, por misioni ynë nuk do të mbetet vetëm i drejtuar ndaj biznesmenëve turq, por këtu do të ketë qasje gjithëpërfshirëse ndaj të gjithë përfaqësuesve të biznesit”, u shpreh ai.
Nga ana tjerë, ministri paresor i obliguar për investime të huaja në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, Beycan Ilyas, duke përshëndetur hapjen e degës së kësaj shoqate në Shkup, u shpreh se si ministër gjithmonë do të ofrojë mbështetje në bashkëpunimin e ardhshëm në zhvillimin ekonomik të të dy vendeve.
Përfaqësues i Shoqatës MÜSIAD në Maqedoni, Bilal Kara, tha se hapja e kësaj dege është një hap përpara në përmirësimin e marrëdhënieve miqësore mes Maqedonisë dhe Turqisë, e cila sipas tij poashtu do të kontribuojë në zhvillimin e bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve.
“MÜSIAD do të punojë në nxitjen e bashkëpunimit, punësimit dhe investimeve në Maqedoni. Maqedonia është në zemrën e Ballkanit dhe në këtë aspekt ky vend paraqet një element strategjik në marrëdhëniet e Turqisë me vendet tjera të rajonit”, deklaroi Kara.
Ndërkaq, ambasadori i Turqisë në Maqedoni, Ömür Şolendil, të cilët këtë muaj i përfundon mandati si ambasador, theksoi se mes këtyre dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie të forta që burojnë nga historia, si dhe shtoi se Turqia gjithmonë ka mbështetur perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë dhe do të vazhdojë ta mbështes edhe në të ardhmen.
Në ceremonisë e hapjes së Shoqatës MÜSIAD, morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore të Maqedonisë, përfaqësues të institucioneve ekonomike nga vendi dhe rajoni, si dhe mysafirë të tjerë.
Pasditen e sotme MÜSIAD në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Republikës së Maqedonisë organizon forumin e biznesit ballkanik, ku do të zhvillohen takime bilaterale mes afaristëve nga rajoni i Ballkanit, i cili ka për qëllim promovimin dhe përforcimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të këtij rajoni.
Siç është paralajmëruar, MÜSIAD poashtu do të nënshkruajë memorandum bashkëpunimi me Odën Ekonomike të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa në mbrëmje në organizim të kësaj shoqate do të mbahet një dark gala ku do të marrin pjesë krerë të lartë shtetërorë, përfshirë edhe kryeministri teknik i Maqedonisë, Emil Dimitriev.
MÜSIAD është themeluar më 9 maj të vitit 1990 nga ana e një grupi të biznesmenëve në Stamboll, me qëllim të dhënies së një kontributi juridik dhe ekonomik shtetit, si dhe të kontribuojë në krijimin e unitetit mes anëtarëve të saj në mënyrë që të zhvillojnë bizneset e tyre dhe të jenë drejtues të rritjes ekonomike të shtetit.