Besar Ademi
13 Maj 2016•Përditësim: 14 Maj 2016
SHKUP (AA) – Në Byronë e Zhvillimit Rajonal në Shkup, ministrja e Vetëqeverisjes Lokale, Shyrete Elezi shpalli fillimin e implementimit të projekteve të reja për zhvillim të rajoneve malore për vitin 2016, raporton Anadolu Agency (AA).
Realizimi i projekteve për zhvillimin e rajoneve planore financohet nga buxheti i Republikës së Maqedonisë përmes Programit për zhvillim të barabartë rajonal të Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale dhe Byrosë për Zhvillim Rajonal me një vlerë prej 180 milion denarë.
Ministrja Shyrete Elezi theksoi se në buxhetin e këtij viti, i cili është dyfish në krahasim me vitin e kaluar, janë arritur 38 propozime, ndërsa janë pranuar 26 projekte. Ajo njoftoi se tre projekte do të financohen në rajonin planor të Shkupit, tre në rajonin Juglindor, dy në rajonin Lindor, pesë në rajonin e Pellagonisë, katër në rajonin e Pollogut, dy në rajonin Jugperëndimor, katër në rajonin e Vardarit, si dhe tre projekte në rajonin planor Verilindor.
“Maqedonia 11 vite realizon procesin e decentralizimit të pushtetit. Janë ndërmarrë shumë hapa të rëndësishme në implementimin e vlerave evropiane dhe standardeve për nivel lokal dhe janë sjell shumë vendime për zhvillimin e komunave”, u shpreh Elezi, duke i veçuar shumë të rëndësishme këto projekte, që do të kontribuojnë në zhvillimin e rajoneve planore të Maqedonisë.
Zëvendës kryeministri i Maqedonisë për Çështje Evropiane, Vladimir Peshevsi tha se me fillimin e implementimit të projekteve, vendi është duke ecur edhe një hap përpara drejt zhvillimit rajonal dhe drejt përmirësimit të kushteve të jetesës së qytetarëve të të gjithë rajoneve të vendit.
Marrëveshjet për financimin e gjithsej 26 projekteve u nënshkruan nga drejtoi i Zyrës për Zhvillim Rajonal, Xhemail Elmazi dhe udhëheqësit e tetë Qendrave për Zhvillim të Rajoneve Malore. Pjesa më e madhe e projekteve janë në fushën e infrastrukturës, si dhe në fushën e mjedisit jetësor dhe dokumentacionit teknik.