Besar Ademi
07 Nëntor 2016•Përditësim: 08 Nëntor 2016
SHKUP (AA) – Në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë u promovuan shërbimet për star-up biznese që ofron Fondacioni “Yes-Incubator” (Shërbime për sipërmarrësit e rinj), fondacion i cili synon përforcimin socio-ekonomik të të rinjve përmes zhvillimit të sipërmarrjes, përmirësimit të aftësive për (vetë) punësim dhe networking (kërkime në internet), raporton Anadolu Agency (AA).
Qëllimi i këtij fondacioni është për të tërhequr të rinjtë ideal dhe produktiv të cilët duan të fillojnë një biznes. Fondacioni u ofron trajnime dhe u mundëson një lidhje me partnerë tjerë në mënyrë që të bëhen konkurrues në tregun global, me qëllim të përshpejtimit të progresit të kompanive të vogla dhe të mesme si bartës të ekonomisë kombëtare.
Këshilltarja e Bordit Drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë, Sofçe Jovanovska, tha se në mbarë botën në kohën e sotme të tranformimit dixhital më së tepërmi e shfrytëzojnë start-up kompanitë dhe se në këtë mënyrë shumë kompani që filluan nga zero, për një kohë të shkurtër arritën të bëhen kompani me fitime shumë të mëdha.
“Ne jemi të vetëdijshëm se jetojmë në kohën e revolucionit të katërt industrial, ku kemi një shije të mprehtë të të gjithë konsumatorëve si motorë kërkimi që janë pjesëmarrës në rrjetet sociale. Prandaj është shumë e rëndësishme që kompanitë në punën e tyre të krijojnë performancë dixhitale në ofrimin e shërbimeve të tyre për klientët”, deklaroi Jovanovska.
Nga ana tjetër, drejtoresha e Fondacionit “Yes- Incubator”, Gabriela Kostovska-Bogoeska, tha se misioni i tyre është nxitja e sipërmarrësve dhe rritja e punësimit tek të rinjtë, duke u mundësuar krijimin e një biznesi të tyre. Ajo shtoi se fondacioni që drejton, këta të rinj i mbështet me aktivitete dhe subvencione të shumta, gjë e cila sipas saj, përmes kontribuimit në sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndihmon edhe në zhvillimin lokal dhe kombëtar.
“Unë shpreh bindje se ky bashkëpunim i përbashkët me Odën Ekonomike të Maqedonisë do të na mundësojë një strukturë të re për shërbime të klientëve tanë, start-up kompanive, si dhe njëkohësisht së bashku do t’u ndihmojmë të realizojnë synimet e tyre për zhvillim”, u shpreh Kostovska-Bogoeska.
Fondacioni “Yes-Incubator” është themeluar në vitin 2005 në Shkup. Që nga ajo kohë prej mbi 85 start-up kompani të mbështetura nga fondacioni, 15 kompani janë orientuar drejt eksportit të mallrave dhe shërbimeve, ndëkohë janë krijuar mbi 350 vende të reja të punës.