Dzihat Aliju
13 Prill 2016•Përditësim: 14 Prill 2016
SHKUP (AA) – Në kuadër të Panairit të Turizmit që do të organizohet nesër në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, u organizua një konferencë për shtyp nga ana e Zyrës së Këshilltarit për Kulturë dhe Promovim pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë konferencë morën pjesë këshilltari për kulturë dhe promovim, Hakan Ozçelik, drejtori i Shëndetit të Qytetit të Antalias, Dr. Ynall Hylyr, dhe eksperti i Agjencisë për Zhvillim Mesdheu Perëndimor (Batı Akdeniz), Sadetin Dikmen.
Këshilltari për kulturën dhe promovimin, Hakan Ozçelik, në deklaratën për gazetarët, theksoi se çdo vit marrin pjesë në Panairin e Turizmit në detyrën e këshilltarit. Më tej ai shtoi se në krahasim me vitet e kaluara, kësaj radhe promovimi do të bëhet në një sferë më të gjerë.
Ozçelik, i cili u shpreh se në stendën e Turqisë do t’iu bëhet promovim potencialeve të qyteteve të Pamukales, Çanakalasë, Bodrumit dhe turizmit shëndetësor të Antalias, theksoi se Turqia e ka potencialin t’i ofrojë të gjitha llojet e turizmit.
Ndërkaq, drejtori i Shëndetit të Qytetit të Antalias, Dr. Hylyr, shprehu kënaqësinë për praninë e tij në Maqedoni. Ai u shpreh se Antalia është qytet me potencial të madh në sferën e shëndetit i cili disponon 14 spitale publike, 26 private dhe 2 spitale universitare.
Po ashtu, ai tha se Antalia është në nivel më të përparuar në krahasim me shumë vende sa u përket kualitetit të mjekëve dhe kualitetit të aparateve në spitale, dhe se është një vend i cili ofron shërbime edhe në sferën e shëndetit edhe në atë të pushimeve.
Ndërkaq eksperti Dikmen, deklaroi se Turizmi Shëndetësor është një aktivitet që duhet bërë së bashku nga institucione të ndryshme siç janë administrata publike, spitalet, institucionet arsimore dhe ato shëndetësore.
Dikmen më pas shtoi se duke qenë se Antalia është qytet që rajonalisht tërheq numër më të madh të turistëve, ai ofron shërbime shëndetësore për rreth 300 mijë turistë në vit. Ai gjithashtu informoi se numri i atyre që e vizitojnë qytetin vetëm për qëllime shëndetësore është 10 mijë.
Në Panairin e Turizmit që do të organizohet në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, midis datave 14 dhe 16 prill, do të zërë vend edhe stenda e Turqisë. Përveç hapësirës së dhënë rajoneve Mugla, Pamukkale, Çanakkale dhe Antalia, do të promovohet edhe turizmin shëndetësor.