Övünç Kutlu
13 Qershor 2022•Përditësim: 14 Qershor 2022
Sipas hulumtimit të kryer nga "Financial Times" dhe qendrë kërkimore "Initiative on Global Markets", ekonomia e SHBA-së pritet të bie në recesion vitin e ardhshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Derisa 38 për qind e të anketuarve në sondazh vlerësojnë se ekonomia amerikane do të shkojë në recesion në gjysmën e parë të vitit 2023, 30 për qind parashikojnë se kjo mund të ndodhë në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.
Rreth nëntë për qind e të anketuarve parashikojnë se ekonomia më e madhe në botë do të përballet me një recesion në gjysmën e parë të vitit 2024, ndërsa 21 për qind vlerësojnë se kjo mund të ndodh në tremujorin e tretë të vitit 2024 ose më vonë.
Vetëm dy për qind e të anketuarve në sondazh parashikojnë se ekonomia amerikane mund të përballet me një recesion në tremujorin e katërt të këtij viti ose më herët.
Në hulumtimin, i cili u zhvillua nga 6 deri më 9 qershor, morën pjesë 49 të anketuar nga Shkolla e Biznesit e Universitetit Booth në Çikago.
"Recesioni përfshin një rënie të ndjeshme të aktivitetit ekonomik që përhapet në të gjithë ekonominë dhe zgjat për më shumë se disa muaj", tha organizata jofitimprurëse hulumtuese Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike (NBER), me qendër në SHBA.
Organizata sqaron se recesioni përfaqëson periudhën midis pikut të aktivitetit ekonomik dhe nivelit më të ulët të tij.
Inflacioni në SHBA u rrit në nivelin më të lartë në më shumë se 40 vjet, duke arritur në 8,6 për qind në bazë mujore në muajin maj.
Përkundër shqetësimeve për recesionin në vend, Rezerva Federale e SHBA-së (FED) planifikon të vazhdojë shtrëngimin e politikës monetare.