Muhammet Nazım Taşcı
21 Qershor 2022•Përditësim: 21 Qershor 2022
SHBA-ja do të mbështesë administratën e Islamabadit për të rifilluar fondin që Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ndaloi për Pakistanin, pohoi media pakistaneze, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një lajmit të gazetës Dawn, burime diplomatike pohuan se SHBA-ja ka rënë dakord të mbështesë Pakistanin në negociatat me FMN-në.
Miftah Ismail, ministri i të Ardhurave dhe Financave i Pakistanit, gjithashtu shprehu shpresën e tij se programi i FMN-së do të rifillojë brenda pak ditësh.
Pakistani po kërkon rifillimin e huas prej 3 miliardë dollarësh të ndaluar nga FMN-ja. Qeveria e Islamabadit po kërkon gjithashtu një hua shtesë prej 2 miliardë dollarësh.
Bisedimet e bllokuara me FMN-në ndikojnë në kursin e këmbimit
Nga ana tjetër, për shkak të ngecjes së bisedimeve me FMN-në vazhdon rënia e rupit pakistanez ndaj dollarit.
Dollari, i cili tregtohej me 197,8 rupi pakistanezë në fillim të qershorit, u rrit sot për herë të parë në 212 rupi.
Rezerva valutore e mbajtur nga Banka Qendrore e Pakistanit u ul me 241 milionë dollarë më 10 qershor në 8,98 miliardë dollarë, për shkak të rënies së rupit.
Sipas gazetës “The News”, duke cituar burime, thuhet se Banka Qendrore e Pakistanit u ka kërkuar bankave që të marrin leje prej saj për transaksione importi prej 100 mijë dollarësh ose më shumë për të mbrojtur rezervat valutore në duart e tyre. Ndërkaq, Banka Qendrore e Pakistanit i mohoi këto akuza.
Ministrja e Informacionit dhe Transmetimit e Pakistanit, Maryam Aurangzeb, njoftoi më 19 maj se ndaluan importin e mallrave luksoze për të kontrolluar inflacionin, për të stabilizuar rezervat valutore dhe për të zvogëluar varësinë e vendit nga importet.
Marrëveshja me FMN-në
Pakistani në vitin 2019 ka rënë dakord me FMN-në për një paketë shpëtimi ekonomik prej 6 miliardë dollarësh, e cila është planifikuar të paguhet brenda 39 muajsh. Sipas marrëveshjes, Pakistanit iu kërkua të mos subvenciononte shumë artikuj, përfshirë tarifat e naftës dhe energjisë elektrike.
Ndërsa qeveria e Imran Khan-it ishte në detyrë më 28 shkurt, uli çmimet e naftës dhe njoftoi se i kishte ngrirë këto çmime për 4 muaj. FMN-ja, nga ana tjetër, kishte ndërprerë financimin e saj prej 3 miliardë dollarësh për Pakistanin derisa të pushonte subvencionimi i çmimeve të naftës.
Qeveria e Shahbaz Sharif-it, e cila mori detyrën pasi Khan u rrëzua, refuzoi të rrisë çmimin e naftës. Qeveria e re kishte subvencionuar çmimet e naftës me 600 milionë dollarë në muaj. Megjithatë, administrata e Sharif-it kishte ulur edhe sasinë e naftës së subvencionuar.
Aktualisht, Pakistani subvencionon naftën me 9 rupi pakistanezë (0,04 cent) për litër. Nga ana tjetër, FMN-ja kërkon heqjen e subvencionit.
Shahbaz Sharif, vëllai i Nawaz Sharif, i cili shërbeu si kryeministër për tre mandate në vend, u zgjodh kryeministër me mbështetjen e shumicës absolute me 174 vota në votimin e mbajtur në parlament më 11 prill.
Qeveria e Imran Khan-it, si rezultat i votimit të mosbesimit të mbajtur në parlamentin e Pakistanit me 10 prill, ra nga detyra pasi mori 174 vota mosbesimi.