Bekim Laci
01 Nëntor 2017•Përditësim: 02 Nëntor 2017
SHKUP (AA) - Në Shkup ka filluar punimet samiti vjetor ekonomik “Maqedonia 2025”, i cili këtë vit fokusohet te “praktikat më të mira të shteteve të suksesshme të vogla”, përmes ekspozeve të Suan Hing Li, president i Këshillit për Zhvillim Ekonomik të Singaporit dhe Pjer Gurxhian, partner në Fondacionin ruso-armen, raporton Anadolu Agency (AA).
Bashkëthemeluesi, njëherësh anëtar i Këshillit të Drejtorëve të “Maqedonia 2025”, John Bitove, në prononcimin e tij për gazetarët tha se hapja e këtij forumi është bërë duke shpalosur dy shembuj të jashtëzakonshëm të shteteve të ngjashme me Maqedoninë për nga madhësia, Singapori dhe Armenia, por që dallojnë shumë për nga të arriturat ekonomike.
Suksesi i këtyre dy shteteve, tha ai, bazohet në punën e përbashkët të komunitetit të biznesit, punës së universiteteve dhe qeverisë. Për sa i përket suksesit që kanë këto forume vjetore që mbahen në Maqedoni, Bitove tha se stabiliteti politik i vendit luan një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e afaristëve për të investuar në një shtet.
“Fillimisht kur një afarist planifikon të investojë në Maqedoni, dhe kanë shqetësime për stabilitetin politik të vendit, dhe për shkallën e punësimit, atë që bëjmë ne, është se bisedojmë me biznesmenët për të bërë të ndjehen të qetë se bëjnë një veprim të duhur sepse populli në Maqedoni respekton zotimet dhe se dëshirojnë hapje të fabrikave. Ndërkohë, ndihmojmë kompanitë që janë këtu të gjejnë partner afarist jashtë vendit”, tha Bitove, për të shtuar se investimet që ka bërë në Maqedoni nuk janë dhe aq të suksesshme nga shkaku i situatës politike në të kaluarën.
Ruben Vardanian, një investitor me ndikim në Rusi dhe Armeni, theksin e vendosi tek kontributi i diasporës armene për zhvillimin ekonomik të vendit, e cila siç tha, përmes programeve të ndryshme ka investuar mbi 600 milionë dollarë. Armenia tha ai, ka 3 milionë banorë dhe një diasporë prej 7 milionë e cila sjell në vend dy miliardë euro në vit. Vardanjan, dha pikëpamjet e tij për Ballkanin si një tërësi dhe mundësitë për investime brenda tij, ku problem i Ballkanit tha ai, është largimi i njerëzve të talentuar.
“Sfida kryesore me të cilën përballemi të gjithë ne, është përpjekja për të mbajtur në vend njerëzit e talentuar, të luajnë rolin e tyre në një shoqëri pa korrupsion, megjithatë, duhet të krijojmë një sistem ekonomik në të cilin të rinjtë do të mund të realizojnë ëndrrat e tyre. Ballkani ka shumë të tillë, prandaj theksi duhet të vendoset që ata të mos shkojnë në SHBA, Gjermani, Kinë, Rusi dhe vende të tjera”, tha Vardanian për të shtuar se bota po lëviz nga ekonomia industriale në atë inovative, për ku nevojiten të rinjtë.
Suan Hing Li, nga ana e tij tha se Singapori në 50 vitet e fundit ka rritur Bruto Prodhimin Vendor (BPV) për kokë banori për më shumë se 50 herë, i cili sot tejkalon shifrat prej 52 mijë dollarë në vit. Sipas tij suksesi është rezultat i fokusit në investime të huaja, transformimit të teknologjisë, infrastrukturë dhe qeveri të orientuar drejt biznesit dhe investimi në resurset njerëzore.
“Ne nuk kemi resurse natyrore, përveç njerëzve tanë, ne kemi investuar shumë në arsimimin dhe trajnimin e njerëzve, ndërkohë që kemi vëzhguar nga afër ndryshimet në ambientin global. Kemi investuar në kohë kur nuk ka pasur fare kërkesë”, tha Li për të shtuar se shtetet e vogla duhet të përqendrohen në një drejtim të vetëm, sepse siç tha, në ekonominë moderne çështja nuk parashtrohet si “i madhi mposht të voglin, por i shpejti mposht të ngadalshmin”.
Gjatë dy ditëve të forumit Maqedonia 2025, me pikëpamjet e tyre do të paraqiten mbi 50 ekspertë të ndryshëm nga 25 shtete, ndërkohë që marrin pjesë 400 delegatë.