Gökhan Ergöçün
26 Prill 2018•Përditësim: 26 Prill 2018
ANKARA (AA) - Tregu evropian i automobilave shënon rritje për 0.8 për qind nga viti në vit në tremujorin e parë të vitit 2018, ka bërë të ditur Shoqata e Distributorëve të Automobilave të Turqisë të enjten, raporton Anadolu Agency (AA).
Numri i automjeteve të shitura në 28 vendet anëtare të BE-së dhe në vendet e Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) ka arritur në 4.92 milionë gjatë tre muajve të parë, nga 4.88 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2017, thotë shoqata në një deklaratë duke cituar statistikat e Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve.
Shoqata thotë se Hungaria shënoi rritjen më të lartë vjetore në periudhën janar-mars, me 28.8 për qind, e ndjekur nga Bullgaria me 25.7 për qind dhe Greqia me 25.5 për qind.
Në periudhën tre mujore, Turqia regjistrohet si tregu i tetë më i madh i automobilave në Evropë, me 163,358 vetura të shitura, duke u rritur me 2.18 për qind nga viti në vit.
Ndërkohë, tregu evropian i automobilave pa një rënie prej 4.9 për qind në muajin mars, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Në mars të këtij viti janë shitur 2.1 milion automjete, nga 2.2 milionë sa janë shitur në mars të vitit 2017.
BE është tregu kryesor i eksportit të automobilave për Turqinë, ku prodhuesit eminent ndërkombëtarë të automjeteve, duke përfshirë Fiat, Ford, Honda, Hyundai, Renault dhe Toyota, bëjnë prodhimin e automobilave.
Vitin e kaluar, afër 80 për qind e eksportit të përgjithshëm të automobilave të Turqisë shkuan në vendet e BE-së, duke arritur në 22 miliardë dollarë, me një rritje vjetore prej 17 për qind.