Zülfiya Yakup
16 Shkurt 2016•Përditësim: 16 Shkurt 2016
PRISHTINË (AA) – Policia e Kosovës sot në mëngjes ka arrestuar Glauk Konjufcën, deputetin e Lëvizjes opozitare “Vetëvendosja” në vazhdimin e aksionit të arrestimit të pjesëtarëve të kësaj partie të filluar mbrëmë, raporton Anadolu Agency (AA).
Policia mbrëmë arrestoi edhe zëdhënësin e “Vetëvendosjes”, Frashër Krasniqi në bazë të fletë-arrestit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ndërsa zyrtarja për komunikim e kësaj partie, Tinka Kurti për AA ka treguar se policia kishte urdhrin për arrest të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, duke mos specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.
Së bashku me Konjufcën dhe Krasniqin edhe 25 aktivistë të kësaj Lëvizje akuzohen se kanë dëmtuar automjetet e EULEX-it para gjashtë viteve në parkingun pranë Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Nga Lëvizja “Vetëvendosje” vlerësojnë se ky arrestim bëhet para protestës të opozitës të caktuar më 17 shkurt, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, përmes së cilës, siç vlerësojnë, vazhdohet me tentimet që të ndalohet dhe dobësohet protesta.
“Këto sulme dhe persekutime të cilat po ndodhin gjithmonë kur opozita përgatitet për t’iu kundërvënë, nuk kanë efekt. Opozita nuk do të ndalet dhe protesta do të jetë madhështore”, njoftuan nga Lëvizja “Vetëvendosje”.