Sibel Vezaj
20 Tetor 2016•Përditësim: 20 Tetor 2016
PRISHTINË (AA) - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami po merr pjesë në Kongresin Botëror, të organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Turizmit Social në Zagreb, me temën “Zhvillim i Turizmit përmes Përfshirjes”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga MTI bëhet e ditur se ministrja Bajrami, gjatë këtij takimi ka njoftuar pjesëmarrësit për mundësitë që i ofron Kosova në fushën e Turizmit, duke theksuar se Kosova posedon resurse të shumta turistike dhe se Qeveria e Kosovës po punon në zhvillimin dhe fuqizimin e këtij sektori.
“Përkundër vështirësive nëpër të cilat po kalon Kosova, për shkak se shteti i Kosovës nuk përfshihet në shumë iniciativa dhe organizata ndërkombëtare që merren me promovimin e turizmit, janë bërë përparime në krijimin e mekanizmave të cilët po merren me adresimin e sektorit të turizmit”, thuhet në njoftim nga MTI.
Ministrja Bajrami gjithashtu ka bërë të ditur se turistët që vizitojnë Kosovën ngelin të impresionuar nga ajo çfarë ofron Kosova, duke theksuar se mikpritja e mrekullueshme të qytetarëve shoqërohet me diversitetin kulturor, peizazhet e bukura dhe me historinë pasur të këtij vendi.
Duke vënë në dukje se tema e këtij kongresi është “Zhvillim i Turizmit përmes Përfshirjes”, ministrja Bajrami foli rreth politikave përjashtuese të cilat po aplikohen ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
“Për shkak të këtyre politikave, bota respektivisht rajoni ka përjashtuar dy milion turist potencial, Qeveria e Kosovës po humb dhe vendet që na kanë vënë kufizime po humbin gjithashtu”, ka thënë Bajrami.
Ajo së fundi shprehu besimin që ky kongres do të ndikojë që fjala “përfshirje” të zë vend në praktikë, duke mos mbetur vetëm pjesë e fjalimeve të bukura.