Selen Temizer
08 Mars 2017•Përditësim: 08 Mars 2017
ANKARA (AA) - Ministri dhe kryenegociatori i Turqisë për Bashkimin Evropian Ömer Çelik deklaroi se janë "sistematike" pengesat e aktiviteteve të ministrave turq në Evropë dhe me këtë rast u bëri thirrje vendeve evropiane "që të heqin dorë nga kjo rrugë", raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Çelik në panelin editorial të AA-së ka bërë disa vlerësime në lidhje me disa çështje. Në pyetjen për vendimet e Gjermanisë për të penguar aktivitetet e ministrave turq ai është përgjigjur: "Për këto pengesa përgjegjëse është qeveria. Nuk e pranojmë arsyetimin se ‘autoritetet lokale janë përgjegjëse‘. Kjo sigurisht që nuk është e drejtë. Jemi në dijeni se ka pengesa sistematike".
"Kemi edhe gjëra që i dimë. Bëhet presion ndaj kompanive të sigurimeve, që të mos bëhet sigurimi i sallave. Anulohet liçenca e sallës e cila ofron shërbim prej 20 vitesh. Ne jemi në dijeni të këtyre gjërave, sepse po bëhen përpara syve tanë. Bëhet fjalë për një pengesë sistematike. Edhe homologut tim i kam thënë se i kemi regjistruar këto", tha Çelik.
Sipas tij, kjo situatë paraqet një krizë të rëndë. "Duhet ta rregullojnë këtë. Duhet të heqin dorë nga kjo rrugë. Si rezultat nuk do të ketë asnjë dobi nëse dëshirojnë të bëjnë një fushatë për 'jo' apo të tentojnë të pengojnë. Pikërisht ndodh e kundërta", tha ai.
Ai tërhoqi vëmendjen se në BE ka një rritje të të djathtës ekstreme. "BE-ja një kohë të gjatë nuk mund të bëjë një tërheqje të re. Ndodhet në një situatë ku ajo është e zhytur në problemet e brendshme", potencoi Çelik.
"Po bëjnë një gabim të tillë. Ata po ndërmarrin politika të ngjashme për të luftuar të djathtën ekstreme, për të marrë argumentet në duart e tyre. Dhe në çdo rast kanë vërejtur faktikisht se e djathta ekstreme po rritet dhe ata vetë po humbasin", ka deklaruar Çelik duke shtuar se zgjedhjet në Gjermani, Holandë dhe Francë do të përcaktojnë fatin e bashkimit.
Ministri Çelik tha se BE-ja nuk ka mundur të japë provimin me krizën e refugjatëve dhe se qeveritë përballë politikave të të djathtës ekstreme për refugjatët kanë zgjedhur rrugën për të helmuar opinionin publik.
Më tej ai ka vënë në dukje se këto politika formojnë "opozitë evropiane". Çelik ka paralajmëruar se brenda Evropës mund të shpërthejnë sërish konfliktet etnike dhe sektare.