Merve Yıldızalp
19 Mars 2018•Përditësim: 19 Mars 2018
ANKARA (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se pas çlirimit të qytetit të Afrinit, Turqia nuk do të ngelet me kaq, por do të vazhdojë pastrimin e terroristëve dhe eliminimin e kërcënimit të tyre ndaj shtetit turk, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ne kemi vënë një presje, shpresoj që t'i vendoset pikë tani. Sigurisht, nuk do të mjaftohemi me kaq. Ka edhe zgjatime të këtyre. Do ta mbarojmë edhe punën e tyre. Synimi ynë nuk është pushtimi, por realizimi i operacionit për pastrimin e terroristëve dhe eliminimi i kërcënimit që vjen nga këta terroristë kundër vendit tonë", tha Erdoğan gjatë ceremonisë së përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të mbajtur në Ankara.
Presidenti turk njoftoi se që nga fillimi i operacionit "Dega e Ullirit" që Turqia e zhvillon në veri të Sirisë kundër organizatave terroriste PYD/PKK dhe DEASH e deri më sot janë neutralizuar 3.622 terroristë.
"Duke marrë nën kontroll dje qëndrën e Afrinit, kemi lënë pas fazën më të rëndësishme të operacionit ‘Dega e Ullirit‘. Do ta vazhdojmë këtë proces tutje deri në eliminimin e plotë të korridorit Munbixh, Ajn el Arab, Tel Abjad, Resulajn, Kamishli", tha Erdoğan.
Erdoğan po ashtu përmendi edhe kampet e terroristëve në Irakun e Veriut, duke thënë se Turqia i ka propozuar qeverisë irakiane të marrë nën kontroll këto kampe, pasi që në këtë rajon "po krijohet një Kandil i dytë".
"Ua kemi bërë të ditur se Kandili i dytë po bëhet rajoni i Sinxharit. Nëse e zgjidhni ju këtë çështje zgjidheni, nëse ju nuk mundeni atëherë ne një natë papritur shkojmë edhe në Sinxhar dhe e pastrojmë atë nga PKK-ja", u shpreh presidenti Erdoğan.