Sinan Uslu
18 Maj 2016•Përditësim: 19 Maj 2016
ANKARA (AA) – Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin në konferencën për media të organizuar në Kompleksin Presidencial foli për çështjen e Krimesë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Edhe njëherë shprehim qëndrimin se nuk e pranojmë përfundimin e aktiviteteve të Kuvendit Tatar Kombëtar me një gjykim të gabuar dhe me trajtim si strukturë ilegale. E dënojmë këtë pastrim etnik që ngelet njollë në histori. Shprehim nderimet për të gjithë vëllezërit tanë tatarë të Krimesë që vdiqën gjatë syrgjynosjes”, deklaroi Kalin.
Ai shprehu ngushëllime për pjesëtarët e sigurisë që ranë dëshmorë në qytezën Nusaybin të Mardinit dhe për 13 qytetarët që vdiqën si pasojë e shpërthimit të kamionit me eksploziv në Diyarbakir.
Me rastin e 72-vjetorit të fillimit të syrgjynosjes së tatarëve të Krimesë më 1944, Kalin u shpreh se viktimat i përkujtojnë me respekt dhe homazhe, duke rikujtuar më tej se më 18 maj 1944 turqit tatarë të Krimesë u bënë viktima të një syrgjynosjeje të madhe dhe u detyruan ta braktisin mëmëdheun e tyre.
- “E dënojmë këtë pastrim etnik që ngelet njollë në histori”
Kalin theksoi se si pasojë e syrgjynosjes mbi 100 mijë tatarë të Krimesë e kanë vazhduar jetën në shtete të ndryshme të botës.
“Plagët që ka hapur ky barbarizëm ende janë të hapura. Aneksimi i Krimesë 70 vite pas syrgjynosjes së tatarëve përsëri i hapi këto plagë. Në vazhdën e kësaj, ne do të vazhdojmë të jemi pranë tatarëve të Krimesë. Shprehemi edhe njëherë që nuk e pranojmë përfundimin e aktiviteteve të Kuvendit Tatar Kombëtar me një gjykim të gabuar dhe me trajtim si strukturë ilegale. E dënojmë këtë pastrim etnik që ngelet njollë në histori i shprehim nderimet për të gjithë vëllezërit tanë tatarë të Krimesë që vdiqën gjatë syrgjynosjes", tha ai.
Duke folur edhe për përvjetorin me rastin e shalljes së pavarësisë së Izraelit më 14 maj 1948 në tokat e pushtuara palestineze dhe largimin e detyruar të palestinezëve nga vendlindjet e tyre, Kalin tha se sipas raportit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1950, afër një milion palestinezë, që përbënin gjysmën e popullatës palestineze në atë periudhë, u detyruan t’i braktisin tokat e tyre dhe të migrojnë.
Kalin gjithashtu u shpreh se kjo syrgjynosje po vazhdon edhe sot, duke thënë se sot mbi 4 milionë palestinezë mundohen ta vazhdojnë jetën si refugjatë.
Ai theksoi se njëra nga pikat kryesore që përbëjnë procesin e paqes në Lindjen e Mesme është edhe çështja e të drejtës së kthimit të palestinezëve të dëbuar në vendet e tyre, duke shtuar më tej se Turqia është pranë popullit palestinez sa i përket kësaj çështjeje.