29 Dhjetor 2017•Përditësim: 30 Dhjetor 2017
ANKARA (AA) - İLKAY GÜDER
Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, tha se Turqia do t'i vazhdojë punimet në Ishullin Suakin të Sudanit për reahibilitimin e plotë të tij.
Duke folur për Anadolu Agency (AA) në lidhje me vizitën e presidentit Recep Tayyip Erdoğan në Sudan, Çad the Tunizi, tha se vizitat në Afrikë nuk bëhen për shkaqe kolonizimi dhe për interesa të njëanshme, por për të zhvilluar marrëveshje, marrëdhënie dhe politika të cilat do të mundësojnë zhvillimin e Afrikës.
Ai theksoi se frytet e këtij synimi tanimë kanë filluar të shihen, duke shtuar se numri i ambasadave turke në Afrikë aktualisht është 39, ndërsa në vitin 2018 planifikohet të rritet në 41.
Duke theksuar se vëllimi tregtar mes Turqisë dhe Afrikës është në rritje çdo ditë e më shumë, Kalın tha: "Institucionet tona janë duke zhvilluar punime intensive në kontinentin e Afrikës, sepse e ardhmja është në Afrikë. Ne e shohim këtë dhe nuk e kemi luksin ta humbasim këtë të ardhme".
Ai tha se vizitat në Sudan dhe Çad ishin të parat në nivel presidencial, gjatë të cilave ai tha se janë hedhur hapa për rritjen e vëllimit tregtar dypalësh.
"Aktualisht ajo arrin vlerën mbi 400 milionë dollarë, por ne e shohim këtë të pamjaftueshme. Ekziston potencial pas heqjes së sanksioneve ndaj Sudanit", tha ai.
Zëdhënësi i presidencës theksoi se Drejtoria e Përgjithshme e Ndërmarrjeve Bujqësore (TIGEM) ka një projekt bujqësor në Sudan që përfshin 15 mijë hektarë tokë, për të cilin janë nënshkruar protokollet e nevojshme dhe se së shpejti zyrtarë të ministrisë turke të bujqësisë do të shkojnë në Sudan për fillimin e punimeve.
Ai foli edhe për Ishullin Suakin në Sudan, për të cilin tha se ka një potencial serioz.
Ishulli Suakin u vizitua nga presidenti turk Erdoğan gjatë vizitës së tij në Sudan, ndërsa pas vizitës tha se ndihet i pikëlluar nga gjendja e ishullit, ndërsa tha se fajtor për të është Perëndimi.
Erdoğan tha se ka kërkuar nga presidenti sudanez Omar al-Bashir leje për të kryer restaurime në ishullin Suakin, ndërkohë që ky i fundit i është përgjigjur pozitivisht.
TIKA ka përfunduar restaurimin e xhamive Hanefi dhe Shafi dhe kompleksin e tyre në këtë ishull. Ishulli Suakin, qytet port në brigjet e Detit të Kuq në verilindje të Sudanit, dikur ishte pjesë e territoreve osmane.
Për shkak të daljes në Detin e Kuq, ajo llogaritet nga vendasit si Porta e Afrikës. Dikur, ishulli priste karvanët që shkonin për të kryer haxhin në tokat e shenjta. Aktualisht, në të jetojnë mbi 40 mijë sudanezë. Zëdhënësi Kalın paralajmëroi punime dhe restaurime të reja në këtë ishull.
"Në Ishullin Suakin, TIKA ka restauruar dy xhami dhe një ndërtesë doganore. Do të pasojnë edhe të tjera. Qëllimi ynë është rehabilitimi i plotë i ishullit dhe shndërrimi i tij në një vend turistik. Sepse gjatë periudhës osmane, ai ishte një port i rëndësishëm gjatë udhëtimit për në haxh dhe umre, para se të kalohej në Xhide", tha Kalın.
Ndërkohë, duke folur për vizitën e presidentit në Çad, Kalın tha se palët kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim kundër terrorizmit.
"Sipas nesh, Boko Haram nuk ka dallim nga DEASH-i, Al Kaida dhe PKK", tha ai.
Ai rikujtoi se disa shkolla të organizatës terroriste FETO, e cila orkestroi tentativën për grusht shteti në Turqi në korrik të vitit të kaluar, tanimë më i janë transferuar Fondacionit Maarif të Turqisë.
"Ne i falënderojmë qeveritë e Sudanit dhe Çadit për mbështetjen në këtë çështje. Ne jemi të gëzuar që ata e kanë kuptuar këtë rrezik", tha ai.
Turqia themeloi Fondacionin Maarif vitin e kaluar për të marrë përsipër administrimin e shkollave jashtë shtetit të lidhura me FETO-n. Gjithashtu, fondacioni themelon shkolla dhe qendra të arsimit jashtë vendit.
Deri më tani, rreth 30 vende afrikane i kanë dorëzuar shkollat e FETO-s Fondacionit Maarif ose i kanë mbyllur ato me kërkesë të Ankarasë.