Nazmi Abduramani
28 Nëntor 2015•Përditësim: 28 Nëntor 2015
SHKUP (AA) - Me intonimin e himnit kombëtar shqiptar, si dhe përmes performacës së grupit folklorik muzikor “Rreth oxhakut”, nën organizim të partisë në pushtet Bashkimit Demokratik për Integrim në Shkup u organizua Akademia solemne me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 103 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë manifestim fjalën përshëndetëse, duke shprehur urime në drejtim të të gjithë shqiptarëve, e mori kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahemeti, ku tha se këto ditë “sigurisht se janë ditë të rrallë ditë motmoti edhe për komb edhe për besimtarë, sot kemi ditë motmoti ditë të shënuar për një ngjarje jashtëzakonisht të madhe, Ditën e Flamurit ku domosdo në këtë ditë motmoti të mendojmë dhe reflektojmë, ç’bëmë mirë dhe të mirat t’i shtojmë, dhe nëse kemi bërë diçka keq të këqijat t’i pakësojmë.”
Më pas ai tha se populli shqiptarë gjithmonë ka qenë liridashës, ka qenë paqësor, asnjëherë luftënxitës, duke u shprehur duhet punuar edhe më tej në avancimin e çështjes shqiptare.
“Kohërat kanë ndryshuar, në favor të shqiptarëve dhe duhet të jemi të mençur dhe të zotë që këto kohëra më tej t’i shfrytëzojmë në avancimin e më tej të çështjes shqiptare, duke rrumbullakësuar në tërësi të drejtën e pamohueshme dhe të pakontestueshme për barazi mes dy komuniteteve më të mëdha këtu në Republikën e Maqedonisë, atij shqiptarë dhe maqedonas, deri në përmbylljen dhe jetësimin e pavarësisë së Kosovës duke përfunduar të pranuar në të gjitha institucionet ndërkombëtare edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me një Shqipëri në paqe e stabilitet si dhe në prosperitet ekonomik, të anëtarësuar, siç e kemi në NATO, dhe të punojmë sa më shumë që të jenë pjesë e Evropës së bashkuar dhe si tërësi si Ballkan Perëndimor të jemi aty ku e kemi vendin në NATO dhe Bashkimin Evropian”, u shpreh Ahmeti.
Dita e Flamurit shqiptar lidhet me vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës i cili më 28 nëntor të1912 shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe zgjodhi Qeverinë e parë të Shtetit Shqiptar. Kryetar i Kuvendit e natyrisht edhe kryetar i parë i Qeverisë së shtetit Shqiptar, u zgjodh Ismail Qemali. Më shumë se një e treta e delegatëve të Kuvendit ishin nga viset e Kosovës. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.