Admir Fazlagikj
18 Maj 2016•Përditësim: 18 Maj 2016
SHKUP (АА) – Gjykata Penale ka shqiptuar sot dënimet për të akuzuarit në rastin "Celula", raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas vendimit të gjykatës të gjithë të akuzuarit shpallen fajtorë për veprën e njëjtë Penale “Pjesëmarrje në ushtri dhe polici të huaj si dhe në formacione paraushtarake dhe parapolicore”.
Personit I.F. iu shqiptua dënimi me burg në kohëzgjatje prej 4.6 vjet, А.А. u dënua me heqje lirie në kohëzgjatje prej 3.1 vjet, E.R katër vjet, ndërsa I.M dhe S.S u dënuan me nga dy vite burg.
Gjykata Themelore Shkupi 1 i ka shpallur për fajtorë të gjithë pesë të akuzuarit të cilët edhe vet pranuan fajin në gjykatë. Rikujtojmë se më 11 mars gjykata shpalli fajtorë për lëndën e njëjtë gjashtë të akuzuar tjerë, të cilët poashtu pranuan fajin.
Aksioni policor i koduar “Celula” u realizuar më 6 gusht 2015 në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Strugë kundër personave që dyshoheshin se kanë lidhje me rrjetin terrorist DAESH.
Në atë kohë, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë tha se gjatë këtij aksioni antiterrorist përveç arrestimeve janë bastisur edhe objekte fetare nën dyshimin se nuk janë nën kontrollin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë duke konfiskuar 38 kompjuterë, 18 laptopë, 119 telefona celularë të cilat janë përdorur si prova materiale.