Bekim Laci
13 Maj 2016•Përditësim: 14 Maj 2016
SHKUP (AA) - Kryetari i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Turqisë në Shkup, Ömür Şölendil, transmeton Anadolu Agency.
Siç bën të ditur zyra e shtypit e LSDM-së, Zaev e ka njohur ambasadorin e Turqisë për rrjedhën e bisedimeve me diplomatët të cilët ndihmojnë për tejkalimin e krizës politike në vend.
“Ekzistojnë mundësi ligjore dhe kushtetuese për mbledhjen e Parlamentit si dhe për shfuqizim të vendimit joligjor për falje të cilin e solli presidenti Gjorgje Ivanov“, u shpreh Zaev. Ai ka shtuar se vullneti i mirë politik mund të rezultojë me një zgjidhje të shpejtë.
Zaev ka pohuar më tej se nevojitet përcaktimi i një dinamike për zbatimin e kushteve kyçe për zgjedhje korrekte. Lideri i LSDM-së ka shtuar se nga shkaku i kushteve të paplotësuara, nuk do të ketë zgjedhje më 5 qershor.
Ambasadori Şölendil nga ana e tij ka theksuar Turqia ndjek nga afër zhvillimet politike në Maqedoninë mike, duke shpresuar se do të respektohet vendimi i popullit i shprehur në zgjedhje të cilat do të mbahen konform rregullave demokratike dhe parimeve të drejtësisë.
“Është e një rëndësie që përmes dialogut në kuadër të rregullave demokratike dhe të sundimit të së drejtës dhe me zgjedhje korrekte dhe transparente të arrihet zgjidhje për tensionet politike”, ka pohuar Şölendil.
Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se dalja nga kriza duhet të bëhet në mënyrë paqësore sepse paqja dhe stabiliteti i Maqedonisë janë të rëndësishme si për qytetarët dhe shtetin, njëjtë edhe për rajonin.
Në takim është biseduar edhe për krizën me refugjatët dhe për kontributin e Turqisë për këtë krizë.