Alma Arnautovic
15 Dhjetor 2015•Përditësim: 15 Dhjetor 2015
KOZLUK (AA) – Në Kozluk në afërsi të Zvornikut, qytet në verilindje të Bosnjë e Hercegovinës sot ka filluar zhvarrosja e eshtrave të boshnjakëve të ekzekutuar, të cilët janë vrarë në këtë lokacion në korrik të vitit 1995, raporton Anadolu Agency (AA).
Në lokacion pritet ardhja e anëtarëve të shoqatës “Gratë e Srebrenicës” të cilat do të marrin pjesë në zhvarrosjen e mbetjeve mortore. Gjatë 11 ditëve të kaluar institucionet që merren me kërkimin e personave të zhdukur, të kryesuar nga Prokuroria e BeH-së, kanë punuar në pastrimin e deponisë ilegale të mbeturinave dhe gërmimin e varrezës masive.
Në këtë lokacion më 13 dhe 14 korrik të vitit 1995, sipas dëshmive, janë ekzekutuar 1.000 burra dhe të mitur boshnjakë, ndërsa ekzekutimin askush nuk e ka mbijetuar.
Kufomat janë varrosur në varrezë masive, por një pjesë e kufomave në mënyrë shtesë janë bartur në Kamenicë. Varreza masive e Kozlukut me vite ka qenë e mbuluar me mbeturina, sepse në periudhën pas luftës në vendin e ekzekutimit dhe vrasjeve masive është shndërruar në deponi ilegale të mbeturinave.
Deri më tani sipas informacioneve të Prokurorisë së BeH-së janë gjteur së paku 30 mbetje mortore të boshnjakëve të vrarë.
Lidhur me vrasjet në këtë lokacion kohë më parë është arrestuar Sreçko Açimoviç, komandant i dikurshëm i batalionit të dytë të brigadës së Zvornikut të Ushtrisë së Republikës Serbe.