Admir Fazlagikj,Agon Fehmiu
01 Janar 2016•Përditësim: 01 Janar 2016
SHKUP (AA) - Foshnjat e para të lindura në vitin e ri 2016 në Maqedoni dhe Kosovë janë djem ndërsa në Shqipëri vajzë, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga Qendra për menaxhim me kriza në Shkup informojnë se foshnjat e para në vitin 2016 kanë lindur në orën 00:01 në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Akusherisë të Qendrës Klinike Universitare në Shkup.
Jovana Andonovska Burilovska (37) nga Shkupi ka lindur foshnjën (djalë) me peshë 3.7 kilogram. Ky ishte fëmija i saj i tretë.
Nëna tjetër është Aleksandra Andonova (33) e cila lindi dy bineqë, një vajzë dhe një djalë. Vajza peshon 2.3 kilogram ndërsa djali 2.2 kilogram. Këta janë fëmijët e saj të parë.
Siç thuhet në njoftimin nga Qendra për Menaxhim me Kriza sot nënat dhe foshnjat do të vizitohen nga kryetari i komunës së Shkupit Koce Trajanovski. Kryetari Trajanovski të posalindurve do t'u dhurojë kartela të kursimit me nga 20 mijë denarë.
Kosova në vitin e ri hyri me lindjen e një djali në klinikën Gjinekologjike të QKUK-së i cili ka lindur saktësisht në mesnatë.
22 vjeçarja nga Fushë Kosova, Jetmira Sopjani, pikërisht në mesnatë ka lindur foshnjën djalë, të parën në vitin 2016. Sipas drejtoreshës së Klinikës Gjinekologjike në Prishtinë, dr. Myrvete Paçarada, djali ka lindur me peshë prej 3.5 kilogram ndërsa nëna dhe fëmija janë me shëndet të mirë.
Ndërkohë, viti 2016 në Shqipëri erdhi me lindjen e një vajze në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë" në Tiranë. Mjekët kanë raportuar se foshnja lindi disa minuta pas ardhjes së Vitit të Ri. Foshnja lindi me peshë 3.5 kilogram dhe sipas informacioneve të mjekëve të këtij spitali ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.