Sibel Vezaj
30 Qershor 2016•Përditësim: 01 Korrik 2016
PRISHTINË (AA)- Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi shtroi iftar për përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, ku mori pjesë edhe myftiu Naim Tërnava, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalimin e tij Presidenti Thaçi theksoi se agjërimi vë në pah virtytet më të larta morale të njeriut duke forcuar disiplinën personale si dhe rezistencën ndaj lakmisë dhe tundimit. Ai gjithashtu shprehu dhimbshmërinë për muslimanët të cilët jetojnë në gjendje të rëndë në zona të prekura nga lufta si Siria e Iraku.
Duke vënë në dukje se këto ditë lutjet shkojnë tek viktimat e terrorizmit Thaçi shprehu mbështetjen morale për popullin mik turk.
“Ngjarjet dramatike në aeroportin e Stambollit tregojnë edhe një herë që terrorizmi nuk njeh përkatësi fetare apo etnike, se muslimanët janë viktimat më të shumta nga ky fenomen jonjerëzor. Ne të gjithë si kurrë më parë duhet të angazhohemi që ta luftojmë pa kompromis ekstremizmin e dhunshëm. Unë vlerësoj lartë rolin që luan në shoqërinë e besimit fetar dhe ju përgëzoj si udhëheqës shpirtërorë të Bashkësisë Islame për punën e palodhur që bëni me besimtarë”, u shpreh Thaçi.
Ndërkaq, myftiu i Kosovës Naim Tërnava duke vënë në dukje se muaji i Ramazanit begaton njerëzit me ndjenjën e fisnikërisë dhe të bujarisë, me shtrirjen e dorës ndaj atyre të cilët kanë nevojë, falënderoi gjithë ata që nëpërmjet Bashkësisë Islame ndihmuan mbi 15 mijë familje nevojtare.
Duke përmendur ngjarjen tragjike që ndodhi në aeroportin “Ataturk” të Stambollit , Tërnava u shpreh se Bashkësia Islame solidarizohet me familjarët e njerëzve të pafajshëm të cilët pësuan nga kriminelët terroristë, dhe bëri të ditur se nesër në të gjitha xhamitë e Kosovës do të ketë lutje për viktimat dhe se do të dërgohet një mesazh i përbashkët për popullin turk.
“Krimi, terrori, ekstremizmi nuk njeh as komb, as ngjyrë, as racë dhe as fe. Ndaj të gjithë ne duhet të bashkëpunojmë edhe më shumë që një e keqe e tillë mos dhashtë Zoti, të mos ndodhë asnjëherë dhe askund më në botë, në veçanti edhe në shtetin tonë” u shpreh Tërnava.