Mustafa Güngör
15 Shtator 2016•Përditësim: 15 Shtator 2016
MERSIN (AA) - Osama Abdul Mohsen, refugjati sirian i cili u rrëzua në tokë pasi u godit nga kameramanja në Hungari derisa po mbante fëmijën e tij në krahë gjatë ikjes nga policia, ngjarje kjo e cila u bë temë diskutimi dhe pas së cilës ai filloi të jetojë në Spanjë, do t’i japë fund mallit për bashkëshorten dhe dy fëmijët që ndodhen në Mersin të Turqisë me zgjidhjen e problemit të vizave, raporton Anadolu Agency (AA).
Kanë rezultuar pozitivisht përpjekjet e Abdul Mohsenit për t’i marrë bashkëshorten dhe dy fëmijët e tjerë nga Turqia në Spanjë, ku ai prej një viti e gjysmë po jeton me dy fëmijët e tjerë të moshës shtatë dhe 18 vjeçare.
Mohsen kishte qenë i detyruar që me fëmijët e tij të jetojnë larg familjes, ndërkohë që dy fëmijët e tjerë dhe bashkëshortja që kishin ngelur në Mersin të Turqisë, përjetuan gëzim të madh me të kuptuar se është zgjidhur problemi i vizave.
Bashkëshortja Muntaha Mohsen, në deklaratën për gazetarin e AA-së, tha se familja e tyre është ndarë në dysh për shkak të problemit të vizave.
“Unë, Muhanned dhe Dua jemi në Turqi. Bashkëshorti dhe dy fëmijët e tjerë, Muhammed Zaid dhe Usame, aktualisht janë në Spanjë. Zaidin nuk e kam parë prej një viti e gjysmë. Ai është djali im më i vogël. Jam shumë e mërzitur nga mungesa e tyre. Gjatë dy bajrameve të fundit nuk e kemi parë njëri-tjetrin. Këtë bajram po e kalojmë me pikëllim”, tha ajo.
Mohsen njoftoi se është zgjidhur problemi me vizat dhe se në fund të bajramit do të shkojnë në Spanjë.
“Jemi shumë të lumtur. Dëshirojmë të shohim njëri-tjetrin sa më parë. Dhimbjet që na i ka shkaktuar lufta mund t’i harrojmë vetëm duke qenë pranë njëri-tjetrit. Kemi vuajtur shumë. Ende nuk e kemi tejkaluar traumën që na e shkaktoi lufta. Me lejen e Zotit do të bashkohem me familjen time me zgjidhjen e problemit të vizave”, vazhdoi më tej Mohsen.
- “Falënderoj shumë popullin turk” -
Edhe djali më i madh i Mohsen, Muhannet Mohsen (19), tregoi se i ka gëzuar shumë fakti që do të bashkohen me babain dhe vëllezërit.
“Lus Zotin që edhe kur të arrijmë në Spanjë të jemi njëlloj të lumtur së bashku me familjen tonë. Do ta përqafojmë njëri-tjetrin fort. Do të hamë së bashku në të njëjtën tryezë. Nuk mundemi ta përshkruajmë gëzimin që e ndiejmë nga kjo gjë”, u shpreh Muhannet Mohsen.
Ai theksoi se i kanë informuar se kanë përfunduar procedurat e nevojshme për qëndrim në Spanjë.
“Rregullimi i vizave na i bëri të mundur dy gëzime në këtë bajram. Jemi shumë të lumtur për këtë gjë. Nuk mund të gjej fjalë për ta përshkruar. Jemi të emocionuar që familja jonë do të bashkohet. Me lejen e Zotit, bajramin e ardhshëm do ta kalojmë së bashku me familjen, do të jemi së bashku me ta. Jemi shumë të gëzuar nga kjo gjë. Ky do të jetë bajrami i fundit që do të kalojmë në Turqi, nëse nuk është gabim të thuhet. Bajramet e ardhshme do t’i kalojmë në Spanjë së bashku me babain dhe vëllezërit", tha ai.
Duke theksuar se ka dashuri për Turqinë, Mohsen tha se “Ne e duam këtë vend sa edhe vendin tonë. Kam punuar në Mersin dhe Stamboll dhe i dua këto sa edhe shtetin tim. Nuk jemi ndier asnjëherë të huaj. Për këtë arsye, e falënderoj shumë popullin turk. Zoti qoftë i kënaqur me ta. U sollën mirë me ne dhe na bënë të ndihemi si në vendlindjen tonë".