Ekip
22 Maj 2016•Përditësim: 23 Maj 2016
KATHMANDU (AA) – Zyrtarët nepalez kanë informuar se dy alpinistë shtetas të Holandës dhe Australisë kanë vdekur si pasojë e sëmundjes së lartësisë në Malin Everest, ndërkohë që 30 të tjerë janë sëmurë ose kanë shenja të ngrirjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyrtari i Departamentit për Alpinizëm në Nepal, Gyanendra Shresta, tha se shumica e alpinistëve është sëmurë ose ka marrë shenja të ngrirjes në trup gjatë ngjitjes ose zbritjes nga maja e Malit Everest.
Dy alpinistët e vdekur ishin pjesë e ekspeditës së njëjtë dhe paraqesin vdekjet e para gjatë vitit 2016.
Nga 11 maji rreth 400 alpinistë janë ngjitur në majën më të lartë të Malit Everest.
“Erick Arnold (35) nga Amsterdami kishte me vete oksigjen të mjaftueshëm, por është ankuar për lodhje. Ndërroi jetë të premten në mbrëmje. Pas disa orësh ndërroi jetë edhe alpinistja australiane Maria Strydom, e cila gjithashtu shfaqte simptome të sëmundjes së lartësisë", deklaroi Pasang Phurba nga agjencia nepaleze “Seven Summit Treks”.
Arnold, ishte ngjitur në majën e Malit Everest pas tentimit të tij të pestë, ndërsa në një intervistë të mëhershme kishte deklaruar se rreziku nga ngjitja në majën më të lartë nuk përfundon kur të mbërrini cakun sepse siç ka thënë dy të tretat e fatkeqësive ndodhin gjatë zbritjes.
"Nëse ju përfshin euforia dhe mendoni se keni arritur qëllimin duhet të keni parasysh se para jush është pjesa më e rrezikshme”, kishte pohuar Arnold.
Që nga viti 1953, në majën e Malit Everest kanë arritur të ngjiten disa mijë alpinistë nga të cilët mbi 250 kanë humbur jetën.