Fatjon Cuka
01 Tetor 2015•Përditësim: 02 Tetor 2015
TIRANË (AA) - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e mbrëmjes të së enjtes në Tiranë, në zonën e njohur si "Lulishte 1 maj", ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë mbetur të vdekur dy persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Mësohet se nga të shtënat me armë zjarri janë vrarë dy persona, identiteti i të cilëve është Kevin Rugova dhe Aurora Oskyan, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë, i identifikuar me emrin Elvis Gaçaj, që ka qenë drejtues i automjetit.
Nga të dhënat zyrtare paraprake të policisë mësohet se persona te pa identifikuar kanë qëlluar me arme zjarri tip kallashnikov në drejtim të automjetit tip BMW ngjyrë gri me targa AA 675 JS, që drejtohej nga shtetasi Elvis Gaçaj.
Menjëherë policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen. Pas vrasjes forca të shumta policore kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ku edhe kanë marrë dëshmitë e para nga dëshmitarët dhe banorëve që jetojnë pranë vendit ku ka ndodhur ngjarja e rëndë.