Ahmet Gürhan Kartal
05 prill 2020•Përditësim: 06 prill 2020
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, është pranuar në spital pasi para dhjetë ditëve u testua pozitivë ndaj koronavirusit të ri (COVID-19) me simptoma që nuk iu larguan nga ajo kohë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç raportojnë mediat lokale duke cituar një zëdhënës të qeverisë britanike, me këshillën e mjekut të tij kryeministri Johnson është pranuar në spital për testime.
"Ky është një hap paraprak, pasi kryeministri vazhdon të ketë sipmtoma të vazhdueshme të koronavirusit dhjetë ditë pasi u testua pozitivë ndaj koronavirusit. Kryeministri falënderon stafin e NHS-së (Shërbimi Kombëtar i Shëndetit) për punën e tyre të jashtëzakonshme dhe kërkon nga publiku të vazhdojë të ndjekë këshillat e qeverisë për të qëndruar në shtëpi, për të mbrojtur NHS-në dhe për të shpëtuar jetë", tha zëdhënësi i qeverisë britanike.
Më 27 mars, Johnson në llogarinë e tij në twitter njoftoi se ka simptoma të buta dhe se është testuar pozitivë ndaj koronavirusit. Ai po ashtu shtoi se është vetë-izoluar dhe se do të vazhdojë të drejtojë veprimet e qeverisë në luftën kundër koronavirusit përmes video-konferencave.
55-vjeçari Johnson të premten e kaluar përfundoi shtatë ditë të izolimit, por temperatura e tij e lartë nuk iu largua dhe ai vazhdoi të qëndrojë në izolim.
Të premten, The Sun raportoi se ndihmësit e qeverisë kishin thënë se gjatë ditëve të fundit Johnson "kollitej" në video-konferenca.
Autoritetet shëndetësore britanike sot njoftuan se numri i vdekjeve në mbarë Mbretërinë e Bashkuar u rrit në 4.934, me 621 viktima të regjistruara vetëm në 24 orët e fundit. Po ashtu njoftuan se numri i rasteve pozitive është 47.806.
Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën dhe bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me bazë në SHBA numri i të infektuarve nga ky virus në mbarë globin ka tejkaluar shifrën 1.2 milionë, ndërkohë që rreth 253 mijë janë shëruar pas trajtimit.