Autoritetet shëndetësore britanike kanë njoftuar se numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në vend është rritur për 360 në 24 orët e fundit, duke vazhduar të shënojë rënie në viktimat e regjistruara në baza ditore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock, në konfencën për media tha se numri i përgjithshëm i vdekjeve në spitale aktualisht është 21.092.
Hancock gjithashtu ka njoftuar se familjet e personelit të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) që kanë vdekur nga koronavirusi do të marrin 60 mijë paundë britanikë.
Nesër në ora 11 para dite, Britania do të mbajë një minutë heshtje për punëtorët kryesorë në luftimin e koronavirusit, përfshirë personelin e NHS-së.
Në mesin e pjesëmarrësve do të jetë edhe kryeministri Boris Johnson.
Pas dorëzimit të pajisjeve për mbrojte personale (PPE) nga Turqia në Mbretërinë e Bashkuar, ministri i Zyrës së Jashtme, James Cleverly, tha se aleanca britanike-turke ishte "më e fuqishme se kurrë".
"Sot falënderova zv/ministrin e Jashtëm turk, Sedat Önal, që na ndihmuan për të marrë PPE jetike për vijën e parë të NHS-së. Ne gjithashtu patëm diskutime produktive dhe të sinqerta për Libinë dhe Sirinë", shkroi ai në rrjetet sociale.
Më herët gjatë ditës, kancelari Rishi Sunak njoftoi një skemë të re kredie sipas së cilës bizneset mund të aplikojnë për kredi të reja deri në një maksimum prej 50 mijë paundësh britanikë, ndërsa qeveria do të paguajë interesin për 12 muajt e parë.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të infektuarve nga koronavirusi ka tejkaluar shifrën 3 milionë, me rreth 208 mijë të vrarë dhe rreth 879 mijë të shëruar.