Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka ritheksuar mbështetje e vendit të tij për qeverinë libiane në luftën e saj kundër gjeneralit renegat, Khalifa Haftar, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media pas mbledhjes së kabinetit të tij që zgjati rreth tre orë, presidenti Erdoğan tha se pasardhësit e heroit antikolonial të Libisë Omar Mukhtar të njohur si "Luani i shkretëtirës" triumfuan në portat e Tripolit "legjionarët" e dërguar nga e gjithë bota nga "ata që po përpiqeshin të pushtonin" vendin.
"Ne do të qëndrojmë pranë vëllezërve tanë libianë, jo me puçistët, jo me imperialistët", tha Erdoğan, duke iu referuar Haftarit dhe mbështetësve të tij.
Presidenti i Turqisë gjithashtu theksoi se në periudhën në vijim, Ankaraja zyrtare "do të vazhdojë të irritojë entuziastët e grusht shtetit nga vendi dhe nga jashtë, si dhe dashamirët e organizatave terroriste".
Pas rrëzimit të sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në 2011, qeveria e Libisë u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje politike të udhëhequr nga OKB-ja.
Që nga prilli i vitit 2019, qeveria është sulmuar nga forcat e Haftarit, me qendër në lindje të Libisë ndërsa më shumë se 1.000 persona janë vrarë gjatë dhunës.
Turqia lehtëson masat kundër COVID-19
Erdoğan njoftoi gjithashtu lehtësimin e mëtejshëm të kufizimeve që vendi kishte ndërmarrë më parë për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri.
"Ne duhet të mësohemi me faktin se periudha e re që ne e quajmë 'normale e re', do të vazhdojë për një kohë", tha Erdoğan.
Ai gjithashtu njoftoi se kinematë dhe teatrot do të rihapen nga 1 korriku në të gjithë vendin.
Erdoğan gjithashtu tha se orari i mbylljes së vendeve si restorantet dhe kafenetë është zgjatur deri në mesnatë, ndërsa sallat e dasmave do të rifillojnë shërbimet duke filluar nga 15 qershori.
Gjithashtu, personat më të moshuar se 65 vjeç tani mund të lëvizin lirshëm çdo ditë nga ora 10:00 deri në ora 22:00, ndërsa janë hequr edhe kufizimet për të rinjtë nën 18 vjeç, me kusht që ata të shoqërohen nga prindërit e tyre.
Erdoğan gjithashtu njoftoi se shkencëtarët turq me sukses prodhuan ilaçin Favipiravir të përdorur për trajtimin e virusit COVID-19.
Më 1 qershor, Turqia njoftoi fillimin e fazës së saj të parë të lehtësimit të kufizimeve pasi vendi bëri përparime në luftën kundër pandemisë.
Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë, në vend janë konfirmuar 172.114 raste, prej të cilëve 144.598 janë shëruar dhe 4.729 kanë vdekur.