Dilara Hamit
03 Maj 2020•Përditësim: 04 Maj 2020
Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ka njoftuar se numri i vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19) është rritur në 3.397, me 61 viktima të regjistruara në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në llogarinë e tij në twitter, Koca njoftoi se numri i të diagnostikuarve me koronavirus po ashtu është rritur në 126.045, me 1.670 raste të konfirmuara në 24 orët e fundit.
Ministri turk theksoi se numri i të shëruarve ka shkuar në 63.151, pasi 4.892 pacientë të tjerë pasi u shëruan janë lëshuar në shtëpi.
"Për herë të parë që nga 11 marsi, numri i pacientëve të shëruar ka tejkaluar numrin aktual të pacientëve me COVID-19 në Turqi", shkroi Koca.
Në 24 orët e fundit në vend janë kryer 24.001 teste për COVID-19, ndërsa që nga shpërthimi i pandemisë janë kryer 1.13 milion teste.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e shpalli pandemi globale.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të prekurve nga pandemia ka tejkaluar shifrën 3.4 milionë, me pothuajse 244 mijë të vdekur dhe mbi 1.1 milion të shëruar.