Malik Hasa
28 Janar 2016•Përditësim: 29 Janar 2016
TIRANË (AA) – Sot në Tiranë është mbajtur simpoziumi ndërkombëtar me temë "Armiku Trim (Karhraman Düşman) Abdurrahman Abdi Arnavut Pasha- guvernatori i fundit osman i Hungarisë (fundi i shekullit XVII) ", organizuar nga Shoqata Arsimore Kulturore Humanitare “Alsar”, ku ishin të pranishëm studiues vendas dhe të huaj, etj, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Shoqatës “Alsar”, Mehdi Gurra, në fjalën e hapjes u shpreh se shqiptarët duke ju ngjitur superfuqisë që përfaqësonte Perandoria Osmane filluan të luanin një rol të rëndësishëm në çështjet e Gadishullit Ballkanik dhe me kohë vendosën pozitën e tyre në zonë. “Elitat shqiptaro-osmane kanë patur pozita në Perandori që nga fillimet e saj e deri në ditët e saj të fundit. Roli i shqiptarëve ishte i rëndësishëm jo vetëm në politikë, në qeverisje, administratë, por edhe në kulturë, art, shkencë, letërsi, etj”- u shpreh Gurra.
Përfaqësuesi i Ambasadës së Turqisë në Shqipëri, Cem Baş, i pranishëm në këtë simpozium u shpreh se sot ka shumë gjurmë në shumë qytete të Shqipërisë që vërtetojnë historinë e përbashkët mes dy vendeve. “Të njëjtën gjë shohim edhe në qytete të ndryshme të Turqisë mbi gjurmët e shqiptarëve në Turqi. Për këtë jemi shumë të kënaqur. Abdi Pasha është një vlerë e përbashkët e popullit turk dhe atij hungarez. Kjo figure është një vlerë jo vetëm për këto dy popuj, por edhe por një vlerë e vyer edhe për popullin turk”- u shpreh Baş.
Studiuesi shqiptar, Dritan Egro, vuri në dukje mungesën e theksuar të studimeve sa i përket periudhës së Perandorisë Osmane. Duke u shprehur se ka ardhur koha për të marrë informacione më të detajuara për kohën në fjalë, Egro theksoi se studiuesit duhet të kenë prioritet vendin e shqiptarëve në Perandorinë Osmane.
Një tjetër referues në këtë konference ishte edhe Prof. Dr. Abdulkadir Özcan, i cili vuri në dukje se një nga popujt që ka dhënë më shumë drejtues gjatë Perandorisë Osmane është populli shqiptar. ‘’Edhe pse Perandoria Osmane u largua nga Hungaria në këtë vend luftërat vazhduan dhe ka patur shumë gjakderdhje. Një rast dhe histori mund të konsiderohet edhe Abdi Pasha’’ thotë Özcan i cili tregon më tej jetën e Abdi Pashës duke shpjeguar se arsimimi i tij ka kaluar përmes shkollave më të mira të Perandorisë Osmane. Gjatë tregimit mbi jetën e tij Özcan tregon që Abdi Pasha ka qenë në detyrë si Vali në shumë vilajete të Perandorisë duke filluar nga Bagdadi deri në Vilajetet e tjera si Hungari po edhe Bosnjë Hercegovinë.
Dr. Zoltan Robert Bolek, përfaqësues i Komuniteti Musliman në Hungari, duke folur në këtë simpozium u shpreh se ka shkruar shumë libra mbi luftëtarët shqiptarë dhe ato boshnjakë, si dhe për Perandorinë Osmane gjatë luftës së Pare Botërore. “Ka mbi 3 milionë muslimanë që janë shpërngulur drejt Turqisë gjatë kësaj luftës, por askush nuk flet për këto’’ shpjegon Bolek dhe më pas tregon se Abdi Pashën e dinë që është shqiptarë për shkak të emrit të tij.
Bolek tregon trimërinë e pashait shqiptarë duke pohuar se “rënia e tij nuk kishte të bënte me fuqinë e tij pasi ai ka qenë një trim i vërtetë, por nga mungesa e ndihmës ndaj tij nga pjesa tjetër e ushtrisë së Perandorinë Osmane. Shumë pak e dinë që Hungaria në 100 vitet e fundit ka ruajtur marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Shumë pak e dine që rreth 5 mijë shqiptarë kanë luftuar në ushtrinë austro-hungareze”-thekson Bolek.
Ai gjithashtu ka shtuar se shumë shqiptarë, turq dhe boshnjakë kanë mbetur në Hungari duke formuar në këtë vend komunitetin musliman. “Hungarinë Shqipërinë dhe Turqinë e lidh një e kaluar shumë serioze. E kaluara jonë e përbashkët mund të sjellë stabilitet dhe një të ardhme më të mire në rajon. Kjo trashëgimi e përbashkët duhet të ruhet”- u shpreh në fund të fjalës së tij Dr. Zoltan Robert Bolek.