Bekim Laci
20 Nëntor 2015•Përditësim: 21 Nëntor 2015
SHKUP (AA)- Festat e nëntorit si dhe 50 vjetori nga vdekja e Fan S.Nolit, ishin arsyeja për çka Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve (ITKSHSH) në Maqedoni, organizoi një tribunë shkencore në të cilën studijues të veprës së Fan Nolit folën për figurën emblematike të tij, për shqipen dhe shqiptarët, raporton Anadolu Agency (AA).
Nikoqiri i këtij eventi, drejtori i ITKSHSH-së, Skender Asani, tha mes tjerash se figura e Nolit nuk duhet parë vetëm nga prizmi i letërsisë, por edhe nga prizmi i historisë, kulturës, politikës dhe religjionit.
“Noli paraqet një shumësi personalitetesh brenda një njeriu të vetëm, patriot i radhëve të para, që bëri ç’është e mundur në fushën e diplomacisë, për ruatjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve. Si demokrat i shquar udhëhoqi me Revolucionin Demokratik të Qershorit, e si klerik formoi Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare”, tha Asani.
I ftuar në këtë ngjarje ishte edhe prijësi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, me seli në Elbasan, At Nikollë Marku i cili tha se ndjehet krenar që figura e Nolit vazhdon të nderohet aty ku ka shqiptarë, Ai, ITKSHSH-së i premtoi materiale që dëshmojnë për trashëgiminë kulturore ndërsa ftoi për bashkim duke cituar Biblën dhe Kuranin.
“Ne do t'iu sjellim materiale shumë të rëndësishme që përkojnë me historinë dhe traditën e popullit tonë. Mesazhi im nga Elbasani, nga Shqipëria është se ne do ti gjejmë rrugët e zhvillimit nëpërmjet bashkimit si shqiptarë, me inicimin e fjalës së shenjtë që është te Ungjilli dhe në Kuran prej fillimi deri në fund, kjo është nëpërmjet paqes”, tha Marku.
Studijues të njohur të veprës së Nolit folën për rrëndësinë e Nolit në letërsinë shqipe. Studijuesi, Ali Jashari foli në temën: “Për Fan Nolin dhe visarin e tij frazeologjik popullor” duke nxjerrë në pah frazat që për herë të parë janë përdorur nga Noli, si p.sh “Mëshoi samarit, të marr vesh gomari” etj.
Qemal Murati foli në temën: “Fan Noli – ky lëvrues i madh i fjalës shqipe”; Avzi Mustafa - “Noli në mesin e shqiptarëve të Ukrainës”; Zeqirja Neziri – “Noli dhe epika gojore shqiptare”; Olger Brame – “Përdorimi i simboleve në veprën e Fan Nolit”; Mirlinda Krifca – “Noli mes mitit dhe realitetit”; Myrvete Dreshaj – Baliu & Begzad Baliu – Studimi i Nolit dhe veprës së tij në Kosovë”; Avni Spahiu – “Vatra e shqiptarëve të Amerikës dhe Noli”; Shpëtim Çuçka – “Noli - simboli i përkthimit shqiptar”, Zeqirija Ibrahimi – “Prifti kryeministër Fan S. Noli”, etj.
Studijuesit lexuan shkëputje nga punimet e tyre shkencore ndërsa revista periodike shkencore “Scupi” do të botojë tërë materialin në një nga numrat e radhës.