Artistja e re u jep formë ëndrrave të saj në artin e qelqit
Veprat e saj prej qelqi, të cilave u jep formë në furrën me temperaturë 1.300 gradë, ekspozohen për adhuruesit e artit në Muzeun e Qelqit.
Yavuz Emrah Sever
12 korrik 2026•Përditësim: 12 korrik 2026
photo: Yavuz Emrah Sever / AA
Eskisehir
Artistja 28-vjeçare e qelqit, Dilara Sagir, e cila jeton në Eskisehir, Turqi, po i shndërron ëndrrat e saj në vepra arti në fushën e qelqit, në të cilën hyri pas një kokëfortësie të ëmbël me të atin gjatë përzgjedhjes së studimeve universitare.
E diplomuar në Degën e Qelqit të Fakultetit të Arteve të Bukura të Universitetit Anadolu, Dilara prej katër vitesh punon në Studion e Fryrjes së Qelqit të Nxehtë të Komunës Odunpazarı.
Veprat e saj prej qelqi, të cilave u jep formë në furrën me temperaturë 1.300 gradë, ekspozohen për adhuruesit e artit në Muzeun e Qelqit.
Foto : Yavuz Emrah Sever/AA
Punimet e Dilarës, të realizuara me teknikën e fryrjes së qelqit, janë ekspozuar në shumë ekspozita të organizuara në periudha të ndryshme.
- "Procesi im i studimeve master vazhdon"
Artistja e qelqit Dilara Sagir, në një prononcim për Anadolu, tha se njohja e saj me qelqin ndodhi rastësisht.
“Me babanë tim patëm një lloj basti të vogël gjatë periudhës së përzgjedhjes së degëve. Ai më tha: ‘Nuk dua të studiosh skulpturë’. Edhe unë, për 'inat', zgjodha të gjitha degët që i ngjanin skulpturës. Kështu e gjeta veten në degën e qelqit. Mund të them se hyra me pak këmbëngulje, sepse doja shumë të isha në Eskisehir. Pasi u njoha me degën e qelqit, mund të them se ‘u dashurova me materialin’ dhe vendosa të qëndroj. Përfundova studimet në këtë degë. Njëkohësisht, procesi im i studimeve master vazhdon ende", tha ai.
Foto : Yavuz Emrah Sever/AA
Sagir tha se falë festivalit të qelqit të organizuar nga komuna pati mundësinë të njohë dhe të punojë me shumë artistë nga jashtë vendit, duke shtuar se qëllimi i saj më i madh është të hapë një ekspozitë personale.
Ajo tregoi se produktet që realizon në punishten ku punon gjejnë menjëherë blerës.
Foto : Yavuz Emrah Sever/AA
“Përveç tyre, kam edhe punime që i kam realizuar posaçërisht. Kam edhe vepra të krijuara gjatë procesit të studimeve. Janë rreth 15 vepra që mund t’i quaj shumë të veçanta për mua. I ruaj me shumë kujdes në shtëpi dhe shpresoj që një ditë t’i mbledh të gjitha në ekspozitën time personale”, tha ajo.
Dilara theksoi se i jep formë veprave të saj sipas gjendjes shpirtërore.
“Tek çdo njeri, përfshirë edhe mua, ekziston një boshllëk i vogël që nuk mund të mbushet nga askush tjetër përveç vetë njeriut. Prandaj, unë i përfshij gjithmonë ato boshllëqe të vogla në punët e mia dhe mendoj se i mbush me veten time. Përveç kësaj, zgjedh të bëj gjërat që më japin kënaqësi dhe më bëjnë të lumtur”, u shpreh ajo.