Kamil Tekmen
17 Korrik 2025•Përditësim: 31 Korrik 2025
MANISA (AA) - Kanioni Adala në Manisa të Turqisë, i cili u prek nga thatësira, ka rifituar bukurinë e mëparshme me transferimin e ujit nga Diga Demirköprü në lumin Gediz, raporton Anadolu.
Disa pjesë të lumit Gediz, i cili shtrihet për 5 kilometra midis Digës Demirköprü dhe Lagjes Adala të rrethit Salihli dhe kalon nëpër Kanionin Adala, të njohur si "Hermos", thahen plotësisht herë pas here për shkak të thatësirës.
Kanioni, i cili u formua nga erozioni i lumit Gediz dhe u mbush me lavë nga Koni i Vullkanit Kaplan Divlit afërsisht 12.000 vjet më parë, me tërheqjen e ujërave humbi pamjen e bukur që tërhiqte njerëzit në rajon.
Kanioni filloi të mirëpresë përsëri vizitorët në fillim të këtij muaji me lëshimin e ujit nga Diga Demirköprü në lumin Gediz.
Me strukturën e tij historike që daton që nga kohërat e lashta, natyrën e gjelbër të harlisur dhe peizazhin unik, Kanioni Adala është bërë një nga vendet tërheqëse për ata që duan të kalojnë kohë me natyrën.